Moti i keq përfshin rajonin, Kosova dhe Maqedonia e Veriut raportojnë dëme për shkak të stuhive
Stuhia e fortë që përfshiu Kosovën të martën ka shkaktuar dëmtime të shumta kryesisht në komunat e Suharekës dhe Istogut. Mediat vendase raportojnë se për shkak të stuhive një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se edhe gjatë të mërkurës, vendi do të vijojë të ndikohet nga moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa ka edhe ulje temperaturash.
Një stuhi me fuqi uragani goditi edhe Maqedoninë e Veriut, ku dëme të shumta materiale u raportuan në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Më herët edhe Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive lëshoi nivelin më të lartë të alarmit për një pjesë të rajonit të Ballkanit, duke paralajmëruar stuhi të rrezikshme.
Sipas parashikimit, zonat më të rrezikuara janë jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova.
Disa ditë më parë stuhi të forta dhe dëme të shumta materiale të shkaktuara prej tyre u raportuan edhe nga Kroacia, Rumani dhe Bullgaria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




