Ndahet nga jeta pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë gazetarja dhe shkrimtarja, Rezarta Reçi

Gazetaria dhe letërsia shqiptare kanë humbur sot një nga zërat e tyre më të ndjeshëm. Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur, Rezarta Reçi, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me një sëmundje të rëndë.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga familjarët e saj, të cilët përmes një njoftimi prekës bënë të ditur se gazetarja u shua në paqe, e rrethuar nga dashuria e të afërmve dhe miqve deri në frymën e fundit.
“Rrezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit e përkushtimit të miqve, të afërmve e mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit,” shkruajnë familjarët në njoftimin të publikuar në rrjetet sociale.
Rrugëtimi në Radio Tirana
Rezarta Reçi e nisi rrugëtimin e pasionit të saj, gazetarinë, në Radio Tirana në vitin 1992, pranë Redaksisë së Kulturës. Fillimisht punoi si gazetare realizuese në antologjitë social-kulturore treorëshe, ku spikati për nuhatjen në përzgjedhjen e temave të ndjeshme për dëgjuesin, forcën e arsyetimit dhe komunikimin e shkëlqyer me publikun.
Lëvroi intervistën, portretin dhe la gjurmë të pashlyeshme me rrëfimin. Emisioni “Një fletë nga ditari im” u kthye në markë, duke sjellë në mikrofon njerëz e ngjarje nga çdo cep i Shqipërisë. U largua nga Radio Tirana në vitin 2000 për t’iu përkushtuar disa vite ekranit, por u rikthye më 14 shkurt 2020 me formatet “Kolonë zanore, muzika e jetës sime” dhe “Zërat e mesnatës”.
Modeste dhe fisnike, e talentuar dhe sqimatare në kultivimin e gjuhës shqipe, mjeshtrja e fjalës la gjurmë të çmuara në gazetari. Gjithçka e bëri me dashuri, nga dashuria dhe për hir të saj, duke e mbyllur rrugëtimin profesional pikërisht në mikrofonin e Radio Tiranës, për të cilin kontribuoi kaq shumë.
Një jetë kushtuar fjalës
Përveç gazetarisë, Reçi ishte edhe një autore e vlerësuar librash. Një ndër veprat e saj më të spikatura mbetet “Zhbërja”, një libër që eksploron marrëdhëniet e ndërlikuara njerëzore dhe nevojën për të “zhbërë” të vjetrën për të përqafuar qasje të reja. Siç dëshmojnë të njohurit e saj, krijimtaria dhe shkrimi ishin burimi i saj i forcës gjatë luftës me sëmundjen.
Ikja e saj është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin kulturor, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë për shpirtin e saj të përkushtuar ndaj së bukurës dhe së vërtetës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




