Ben Blushi promovon romanin më të ri “Historitë e Çmendura të Tiranës”
Shkrimtari i njohur Ben Blushi ka promovuar librin e tij më të ri, “Historitë e Çmendura të Tiranës”, një vepër që përshkon 400 vite të historisë së kryeqytetit, nga viti 1600 deri në vitin 2000.
I konceptuar si një udhëtim ndryshe në kujtesën e qytetit, vetë autorit i pëlqen ta quajë këtë një “libër të çmendur” , pasi sjell në qendër ngjarjet dhe personazhet më të veçanta, sipas tij, që kanë shenjuar rrugëtimin historik të Tiranës.
“Bujari më tha pse është quajtur i çmendur? Sepse jo vetëm para 400 apo 200 apo 100 vjetësh, por edhe sot në Tiranë është pak e vështirë të gjesh një sant [njeri] pak të çmendur, edhe këtë s’e kam bërë keq. Por sidomos vitet e fundit qyteti ka pasur shumë peripeci nga dita kur u krijua deri sot, deri në vitin 2000, nga viti 1600 deri në1 vitin 2000”, shpjegoi Blushi.
Gjatë fjalës së tij para lexuesve dhe miqve të pranishëm në promovim, Ben Blushi u ndal te veçantitë krijuese të këtij projekti, duke theksuar se ndryshe nga librat e tjerë ku autorët shpikin personazhet e tyre, në këtë vepër situata paraqitet ndryshe.
“Çdo libër ka të sajuar: një, dy, 10, 20 personazhe. Kurse ky pothuajse nuk ka asnjë personazh të sajuar. Janë të gjithë njerëz që kanë ekzistuar. Sikleti im ka qenë se si ata t’i vësh në dekorin e duhur dhe të sajosh jetën pa i njohur,” – u shpreh Blushi, duke shtuar se puna për këtë libër i ka dhënë shumë kënaqësi dhe ka përcjellë herë pas here një sens ironie.
Autori ka përzgjedhur 38 kapituj dhe rreth 100 personazhe kryesore që përmbushin një kriter të qartë: ose janë të vdekur, ose janë të çmendur, ose të dyja bashkë.
“Libri ka 38 kapituj. Unë në fakt doja 40 kapituj, por në fund fare ngelën 39, e para se ta çoja në shtypshkronjë kapitullin e 39-të e hoqa. Ishte shumë delikat, me një njeri që e njohin të gjithë. Thashë mirë ta heq se do kem shumë siklete. Ai rrëfehej në atë kapitull… por e hoqa sepse ishte pak e ekzagjeruar, jo e sajuar”, theksoi ai.

Ai tregoi se ky libër zë një vend të veçantë në krijimtarinë e tij.
“Ky ishte një libër shumë i dashur për mua. Në një kuptim, unë kam bërë shumë libra, të gjithë janë të dashur, nuk i ndan dot si punë e kalamajve, por ky është shumë i dashur për disa arsye”, tha Blushi.
Sipas tij, ajo çfarë e bën të veçantë romanin janë personazhet realë dhe ironia.
“E para, sepse është pak i ndryshëm nga librat që kam bërë përpara. Është një lloj trilli me kuptimin që personat e mi kanë ekzistuar pavarësisht nga unë. Pra, shkrimtarët i sajojnë personat e tyre: një, dy, 10, 20. Çdo libër ka të sajuar, kurse ky pothuajse nuk ka asnjë personazh të sajuar. Janë të gjithë njerëz që kanë ekzistuar”, u shpreh ai.
Libri e ka zanafillën te themelimi i Tiranës në vitin 1614.
Duke iu referuar kësaj periudhe dhe zhvillimeve ndër shekuj, Blushi shpjegon se Tirana ka kaluar nëpër peripeci të panumërta, duke u ndërtuar mbi figura dhe objekte që lidhen me identitetin e kryeqytetit, si bulevardet, sheshet, Xhamia, Sahati apo ndërtesat simbolike të dekadave të mëvonshme.
Autori shpjegoi pse korniza kohore e librit nis pikërisht rreth vitit 1600: “Kjo ka një shkak sigurisht; Tirana sigurisht ka ekzistuar dhe para vitit 1600, por ne nuk njohim njeri para kësaj date. Para vitit 1600 pothuajse nuk njihet askush. Ka pasur padyshim njerëz të pasur, të varfër, burra, gra, por nuk ka histori para vitit 1600. Personazhet, pra njerëzit që e bënë Tiranën, fillojnë mbas vitit 1614, që është si të thuash viti zyrtar i themelimit të Tiranës.“
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




