Ndërpritet seanca për konstituimin e kuvendit/Kurti kërkoi kohë për një marrëveshje me LDK-në për “Presidentin”
Deputeti më i vjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, që kryesoi seancën për konstituimin e Kuvendit, njoftoi shtyrjen e saj për një kohë të pacaktuar, pas kërkesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili kërkoi kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës mbi formimin e institucioneve të reja përfshirë presidentin. Partia që fitoi zgjedhjet e 7 qershorit nuk propozoi asnjë kandidat për kryeparlamentar, duke detyruar Deharin ta ndërpresë seancën.
“Konstituimi nuk bën të jetë sërish drejt edhen je shperndarje te kuvendi dhe perseri zgjdhjeve te parakohshme… prandaj kërkojmë kohë shtesë që t’u japin shanc bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, u shpreh Kurti.
PDK dhe AAK akuzuan partinë e Kurtit se po kërkon të fitojë kohë për pazare politike. Ndërsa deputeti i LDK-së Armend Zemaj paralajmëroi krizë kushtetuese nëse tejkalohet afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke mohuar se partia e tij nuk ishte në dijeni të kërkesës së Kurtit për shtyrjen e seancës.
“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh. Kosova vazhdon me mungesë dhe me vakum institucional. Kjo e dëmton vendin dhe e prek perspektivën e vendit, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.
“Nyja nuk është tek qeveria, por te presidenti. Kjo është papërgjegjësi totale e partisë që i ka fituar zgjedhjet. Është shkurt dhe shqip taktikë për të marrë ndonjë pazar politik, për të blerë kohë, në mënyrë që t’i marrë tri institucionet e të cilat s’i takojnë një subjekti pasi s’i ka votat”, tha Besnik Tahiri, Deputet i AAK-së.
“E gjithë koha kushtetuese është në ditën e sotme sipas interpretimit dhe gjykimit tim. Nëse hyjmë në një fazë tjetër që nuk ka interpretim shtesë të vendimit të Kushtetueses, shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive”, theksoi Zemaj, Deputeti i LDK-së.
Dallimet mes LVV lidhur me çështjen e presidentit i paralajmëroi më herët edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike.”
Nëse LVV nuk arrin marrëveshje politike për kreun e ri të shtetit, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja dhe kriza politike e institucionale të vijojë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




