“Në Kohë Reale” në RTSH- Ikja e ikonave të kinemasë shqiptare, Bulku dhe Harxhi nderojnë Anagnostin dhe Milkanin

Film | 1 vit më parë

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, emisioni “Në Kohë Reale” në RTSH, moderuar nga Florian Gjini, i kushtoi një hapësirë thelbësore brezit të kineastëve dhe aktorëve që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2025, si Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani, Enver Petrovci dhe Naum Shundi, si dhe sfidave të brezit të ri të artistëve.

Të ftuar në studio ishin aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku dhe regjisori e skenaristi Ilir Harxhi.

Trashëgimia e korifenjve, vepra mbi ikjen

Rajmonda Bulku, e cila ka pasur fatin të punojë me këta mjeshtra, theksoi se më e rëndësishme se ikja e tyre fizike është trashëgimia e tyre e pashlyeshme.

“Anagnosti, Milkani, janë korifenj të mëdhenj të kinemasë shqiptare me të cilët kam pasur fatin që të punoj. Ata bënë kulturën e këtij vendi në film. Ata nuk kanë ikur, pasi kanë rëndësi veprat që ata lanë pas. Duhet të krenohemi për punën që ata kanë lënë pas,” u shpreh Bulku.

Bulku rikujtoi mundësitë e pakufizuara që ofronte shteti për realizimin e filmave dikur, duke përmendur shembullin e filmit “Ballë për Ballë” ku ishte vënë në dispozicion e gjithë flota.

Ndërsa regjisori Ilir Harxhi e përshkroi punën e tyre si “shkollë për brezat që vijnë”, ai shprehu një peng: se këta artistë do të kishin ndritur edhe më shumë, duke arritur nivelin e Al Pacino apo De Niros, nëse do të kishin pasur mundësi të punonin jashtë hapësirave shqiptare. Ai përmendi rastin e Enver Petrovcit, i cili ishte zgjedhur për “Një duzinë e ndyrë 2”, por nuk arriti të realizonte ëndrrën e tij ndërkombëtare.

Sfida e kineastëve të rinj, guximi dhe audienca

Rajmonda Bulku shprehu mirëkuptim për situatën e kineastëve të rinj, duke pranuar se realizimi i filmave sot është i shtrenjtë, ndryshe nga koha kur mbulohej nga shteti. Ajo nxiti brezin e ri të guxojë dhe të marrë pjesë në audicione ndërkombëtare.

Aktorja pranoi gjithashtu se ka pasur paragjykime ndaj brezit të ri të kineastëve, por shpesh ka konstatuar se ka gabuar dhe u ka kërkuar falje. “Brezi i ri nuk është për t’u paragjykuar. Ka që bëjnë edhe punë të mira,” theksoi ajo.

Në fund, Harxhi theksoi ndryshimet e kohës, ku vajtja në kinema dikur ishte stil jetese, ndërsa sot televizioni dhe rrjetet sociale e kanë “shpartalluar” filmin duke shkaktuar mungesë vëmendjeje tek publiku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme