“Ne nuk jemi makina”, punëtorët në Greqi protestojnë kundër zgjatjes së orarit të punës

Mijëra punëtorë grekë marshuan drejt parlamentit në Athinë gjatë një greve të përgjithshme njëditore, duke protestuar kundër një projektligji të ri që, sipas sindikatave, do t’u lejojë punëdhënësve të kërkojnë deri në 13 orë punë në ditë nga stafi i tyre, një rritje e ndjeshme nga kufiri aktual prej tetë orësh.
Greva paralizoi transportin publik, me trenat, tragetet dhe taksitë jashtë funksionit, ndërsa mësuesit, detarët dhe punonjës të tjerë iu bashkuan demonstratave.
Protestuesit e cilësuan projektligjin si “monstruoz”, duke kërkuar që ai të mos miratohet.
Projektligji, që pritet t’i paraqitet parlamentit këtë muaj, parashikon gjithashtu më shumë fleksibilitet në punësimet afatshkurtra dhe ndryshime në rregullat për lejen vjetore në sektorin privat.
Qeveria greke ka deklaruar se zgjatja e orarit nuk do të jetë e detyrueshme dhe do të aplikohet vetëm për 37 ditë në vit, duke ofruar 40% pagesë shtesë për orët e tepërta.
Megjithatë, sindikatat paralajmërojnë se kjo reformë do të shtojë presionin mbi punëtorët dhe kërkojnë rritje pagash në vend të zgjatjes së orarit të punës.
Protesta në Athinë është një shenjë e pakënaqësisë së thellë ndaj politikave që, sipas punonjësve, cenojnë të drejtat dhe mirëqenien e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




