Në prag të skadimit të afatit kushtetues/ Takimi Kurti – Hamza, PDK jep votat për Presidentin vetëm pas miratimit final të ligjit për Dhomat e Specializuara

Në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar të shtunën takime të ndara me udhëheqësit e dy partive më të mëdha opozitare. Këto zhvillime intensifikohen ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit përfundon më 6 tetor.
Kreu i qeverisë zhvilloi fillimisht një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Menjëherë pas këtij takimi, Kurti ka pritur në godinën e Qeverisë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Qëndrimi i PDK-së, vota për presidentin pas miratimit të ligjit
Takimi mes kryeministrit Kurti dhe kreut të PDK-së zgjati rreth dy orë e gjysmë. Pas përfundimit të tij, Bedri Hamza ka deklaruar për mediat se qëndrimi i partisë së tij mbetet i pandryshuar. Ai theksoi se PDK-ja është e gatshme të ofrojë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, por vetëm pasi të përfundojë plotësisht procesi i miratimit të një ligji specifik në Kuvend.
“Fillimisht duhet të aprovohet ligji dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet, në dy leximet dhe në të gjitha komisionet,”, deklaroi kreu i PDK-së.
Hamza nënvizoi se ky miratim ligjor është një nevojë që shkon përtej interesave partiake të PDK-së. Nëse ky kusht plotësohet, partia e tij është e gatshme të veprojë po atë ditë për të zhbllokuar ngërçin presidencial.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin,”. u shpreh Hamza pas takimit, duke shtuar: “Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja, por kjo është kërkesa jonë.”
Ministria e Drejtësisë kërkon vlerësim të veçantë për Dhomat e Specializuara
Paralelisht me zhvillimet për zgjedhjen e presidentit, vëmendja institucionale është ndalur edhe te projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një opinioni zyrtar, Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se kjo nismë legjislative kërkon një shqyrtim të mëtejshëm dhe të specializuar nga ana e Kuvendit. Sipas institucionit, rëndësia dhe natyra komplekse e këtij projektligji kërkon një analizë të thelluar, pasi aty ndërthuren rregullime të ndryshme juridike.
Fokusi kryesor, sipas Ministrisë, duhet të jetë te përputhshmëria e këtyre ndryshimeve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës – në mënyrë të veçantë me Amendamentin nr. 24 – si dhe me instrumentet dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Në përfundim, Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se, nëpërmjet Qeverisë, mbetet e gatshme të ofrojë kontributin e saj profesional gjatë gjithë procedurës së diskutimit dhe shqyrtimit të këtij projektligji në Kuvend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





