Nga suksesi në Amsterdam te kënga e re/ Eliss rrëfen rrugëtimin: Mos hiqni dorë nëse keni talent!
Këngëtarja Elisa Kumrija, e njohur ndryshe si Eliss prezantohet përpara publikut me projektin e saj më të ri, “Sa m’don”. Në një bisedë në emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, Eliss ka zbuluar prapaskenat e këtij krijimi që shënon një etapë të re në karrierën e saj.
“U bë kohë e gjatë që punoj në studio. Unë tekstet i shkruaj vetë. Bëra një melodi vokale në studio dhe bashkëngjita tekstin dhe po më pëlqente shumë. Pastaj rezultoi një projekt trendi për kohën dhe për moshën time, pak rebele në tekst dhe në ritëm”, tregon ajo.
Teksti i këngës prek një tematikë sa aktuale, aq edhe sociale, duke vënë në shënjestër marrëdhëniet në epokën digjitale.
“Vargjet rrodhën vetë, duke qenë se dashuria është bërë pak egoiste në ditët e sotme. Kohët moderne i kanë llastuar disi njerëzit. Është një mesazh për të gjithë ata që duhet të shprehin lirisht ndjenjat e tyre dhe ta pranojnë veten me çdo të mirë dhe të keqe. Të duan dhe të dashurojnë”.
Elisa Kumrija nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. E rritur në një familje artistësh, si motra e vogël e Xhejn (Janex) dhe Enxhi Kumrijes, rrugëtimi i saj ka nisur herët. Që në moshën 10-vjeçare spikati te “Gjeniu i Vogël”, e më vonë rrëmbeu çmimin e tretë në “The Voice Kids Albania 2013”.
E ngacmuar nga moderatori se me cilën nga motrat ndihet më afër muzikalisht, Eliss pranoi se ka një afri më të madhe me Janex (Xhejn). Megjithatë, mbështetja nga familja është absolute dhe pa asnjë presion. “Nuk më japin trysni. Këshilla e vetme është që të jem autentike dhe vetvetja në atë që krijoj dhe këndoj”.
Rruga e saj nuk ka qenë pa sfida. Eliss ndau me dëgjuesit edhe momentet e vështira duke dhënë një mesazh të fortë për të gjithë artistët e rinj. “Leksioni më i madh është që të mos heqësh dorë. Një periudhë bëra një pauzë, nuk po punoja më. Ndikoi pandemia dhe u demoralizova pak se ne artistët jemi shumë të ndjeshëm. Por nuk duhet të heqësh dorë kur ke një talent nga Zoti. Duhet të punosh sepse do të vijë momenti i duhur kur do shkëlqesh”.
Një nga pikat kulmore të karrierës së saj ishte suksesi ndërkombëtar i remake-ut të këngës ikonike të Akon, “Dangerous”, punuar nga Midnight Factory dhe DJ Sardi. Ajo që nisi si një dëshirë e thjeshtë në studio, përfundoi në një nga skenat më të mëdha të muzikës elektronike në botë, në Amsterdam. “Ka qenë ideja ime për të krijuar një remake të këngës “Dangerous” të Akon. Producenti im DJ Blackie kishte kontakte të mira me disa shtëpi diskografike që i kërkonin materiale. Ky material u nis rastësisht për të dëgjuar një punë të tijën, u pëlqye dhe u përzgjodh të jetë në listën që do të luhej në ADE Festival, një eveniment shumë i madh në Amsterdam për muzikën elektronike. Hodha dhe një strofë të shkruar nga vetë unë dhe doli një pjesëz artistike që bëri bujë në tregun ndërkombëtar”.
Me këngën e re “Sa m’don”, Eliss dëshmon se është më e pjekur artistikisht dhe plotësisht e gatshme për të eksperimentuar me tingujt urbanë bashkëkohorë, duke premtuar se vjeshta do të sjellë të tjera këngë prej saj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




