Ngjarje e rëndë në Dukagjin/ Dy të vrarë, dyshohet babë e bir, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në zonën e Dukagjinit, në fshatin Mgull të rrethit të Shkodrës.
Sipas informacioneve paraprake të policisë bëhet e ditur, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një i tretë ka mbetur i plagosur.
Në informacionet e saj policia sqaron se viktimat janë babë e bir, ndërsa është plagosur një shtetas tjetër.
“Rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, si dhe është plagosur rëndë shtetasi L. B“, shkruan në njoftimin e saj policia.
Ndërkaq, forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes, ndërsa është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, ku dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, dhe është plagosur një shtetas tjetër, sqarojmë se:
Në këto momente ka mbërritur në Spitalin Rajonal Shkodër, për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi i plagosur L. B. dhe jo A. P., siç ju informuam në informacionin paraprak.
Me mbërritjen e shërbimeve të Policisë dhe të grupit hetimor në vendngjarje, si dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, do t’ju informojmë përsëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



