Nik Xhelilaj dhe Bleona Qereti, një dyshe speciale për Festivalin e Pranverës
Pas 2 dekadash mungesë, Festivali i Pranverës rikthehet në skenën shqiptare duke sjellë me vete emocionin e një tradite të dashur, nostalgjinë e kujtimeve të bukura dhe energjinë e një brezi të ri artistësh.
Më datë 6 dhe 7 qershor, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të kthehet në shtëpinë e muzikës, ku artistë, publiku dhe emocionet do të bashkohen në një spektakël që premton të jetë ndër ngjarjet më të veçanta të këtij sezoni artistik.
Në qendër të këtij rikthimi do të jenë edhe dy prej emrave më të njohur të skenës shqiptare, Nik Xhelilaj dhe Bleona Qereti, të cilët do të udhëheqin netët festive si moderatorë të këtij edicioni të shumëpritur.
Nik Xhelilaj është një nga aktorët shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, me një karrierë të ndërtuar mes Shqipërisë dhe Europës.
Ai ka qenë pjesë e filmave dhe serialeve të rëndësishme, duke fituar vlerësimin e publikut dhe të kritikës për talentin dhe profesionalizmin e tij.
Përkrah tij do të jetë Bleona Qereti, një artiste me një rrugëtim të gjatë në muzikë, televizion dhe skena ndërkombëtare.
E njohur për energjinë, prezencën skenike dhe personalitetin e saj të veçantë, Bleona vazhdon të mbetet një nga figurat më të spikatura të showbizit shqiptar.
Së bashku ata do t’i japin jetë dy netëve të Festivalit të Pranverës – një festival që rikthehet për të festuar muzikën, emocionin dhe fuqinë që arti ka për të bashkuar njerëzit.
Duke folur në emisionin “Çasti i Duhur”, të Fjodora Fjorës, Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj rrëfyen atë që pritet të sjellin si moderatorë të këtij festivali më datat 6 dhe 7 qershor.
“Përveç energjisë që është shumë sportive. Këtu do të mbajmë atë pjesën pak më moderne, më çapkëne. Gjithashtu, sepse është edhe nostalgjia, mendoj unë. Do të ruhet një lloj estetike. Në fund të fundit është prodhim i Radio Televizioni shqiptar, është prodhim edhe neve jemi të vetëdijshëm.… Megjithatë nuk e di, mbase po të kishim dy javë përpara kohë të vinim të bënim… Unë kisha menduar, do kisha dashur që të shkoja me konkurruesit, të merrja ata në intervistë, ftoja gjatë provave…”, u shpreh aktori Nik Xhelilaj.
Nga ana e saj, Bleona Qereti theksoi se ky festival sjell si të ftuar edhe emra të muzikës shqiptare që sipas Qeretit, kanë qenë idhujt e saj.
“Po unë realisht, realisht jam vërtetë shumë e gëzuar kur pashë skenarin që do ketë të ftuar emra që unë dua shumë, që kanë qenë idhujt e mi. Është realisht historia e muzikës shqiptare, e kolosave të muzikës shqiptare dhe nuk ke se mos jesh e gëzuar ku ke njerëz që ke 20 vjet që s’i sheh. Do t’i takoj të gjithë njerëzit dhe mund të dal dhe pak nga skenari se mund t’i them dikush që shikon se ti je idhulli im. Kështu që unë mendoj që këto gjërat që ndihen, jo falso, po këto gjëra që ndihen duhen thënë. Jo kështu që unë mund të lëviz pak nga skenari sepse unë jam fanse e njerëzve që do vijnë të ftuar, shumicës së tyre”, tha Bleona Qereti.
Ajo shtoi se Festivali i Pranverës është një balancë midis homazhit të historisë së muzikës shqiptare dhe nderimit të historisë se si ka qenë muzika shqiptare dhe frymëzimit të brezave të rinj
“Unë mendoj që në këtë festival, me sa pashë nga skenari, është një balancë perfekte midis homazhit të historisë së muzikës shqiptare dhe nderimit të historisë se si ka qenë muzika shqiptare dhe frymëzimit të brezave të rinj se çfarë do vijë më pas dhe kush duam të bëhemi në muzikë dhe në kulturë. Kështu që për mua publiku sigurisht duhet të vijë ta shikojë vetëm nga historia pasurore që muzika shqiptare ka për njerëz që ndoshta nuk janë aq aktiv në social media, për njerëz që ndoshta nuk dinë ta përdorin TikTok-un, por kjo nuk do të thotë që ata njerëz s’kanë qenë kolosat e skenës.
Kështu që brezin e TikTok-ut unë i ftoj të gjithë të vijnë të shikojnë, të kuptojnë çfarë domethënë talenti i atyre njerëzve që atëherë… s’po them që tani s’ka talentuar, ka shumë të talentuar, por atëherë ka qenë pak më ndryshe sepse ne e dimë të gjithë që dora… ti e di njësoj si unë, s’kanë qenë kamerat, s’kanë qenë dritat, s’kanë qenë pajisjet.
Ishe ose kishe talent ose nuk kishe talent. Tani bëhen me 2 milion montazhe, me 300 milion AI .. edhe del aty thua kompozimi ky bëri orkestrimin… nuk dua ta minimizoj zhvillimin e muzikës që ka ndodhur, një zhvillim bum në përgjithësi të gjithë jetës njerëzore jo vetëm në aspektin e muzikës, por njerëzit që kanë pasur talent atëherë… atëherë do të kishe vërtetë talent të dilje në skenë.
Dhe për mua brezi i TikTok-ut dhe brezi i social medias duhet të vijë ta shikojë që të kuptojë çfarë domethënë real talent kur i themi ne. Dhe brezi i vjetër duhet të vijë ta shikojë për shkak të nostalgjisë dhe të shikojë që këto këngë tani meritojnë të vihen në një skenë të tillë siç e kemi ne nesër që nuk e zbuluam pikërisht për këtë punë, me këtë foni, me këtë koreografi, me këtë LED, me të gjitha. Kështu që unë i ftoj të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje”, u shpreh Bleona Qereti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




