“Një sallë magjike, skenë e jashtëzakonshme”/ Emocione nga prapaskena në Festivalin e Pranverës, këngëtarët i përgjigjen njëri-tjetrit

Kulturë | 4 muaj më parë

Emocione nuk ka vetëm skena në Festivalin e Pranverës. Po aq ndjenja, spektakël dhe ankth ka dhe në prapaskenë, aty ku Antoneta Koçi dhe Andri Xhahu “marrin në provim” artistët. Për të parë dhe emocionet e tyre dhe “prova e duarve” që tregon se edhe pas interpretimit artistët janë ende në ethe.

Spektaklit i janë shtuar dhe pyetjet që vetë këngëtarët kanë bërë për njëri-tjetrin për të kuptuar më shumë dhe për t’i njohur më shumë.

Për Kejsi Jazxhi skena është vendi ku i thotë të gjitha. “Këto 3 minuta janë momenti ku unë mund të shpreh çdo gjë”, thotë ajo disi e çliruar pas momentit të saj në skenë.

Ndërsa Xhoni Esku i rreshton emocionet në plot fjalë. “Superenergji. Kam shumë emocione. Një sallë magjike, një publik shumë i bukur, skenë e jashtëzakonshme”, tha ai. I pyetur se kujt i dedikohet kënga e tij, ai iu drejtuar moderatores. “Po ta dedikoj ty Antoneta”, tha këngëtari.

Por pyetja e tij, zbuloi shumë për këngëtaren tjetër. Enxhi Kumrija tregoi për çfarë flet kënga e saj, por edhe njeriun e zemrës.

“Shumë emocion. Këngë motivuese dashurie. Ka të bëjë me fillimet e lidhjeve, pjesa më e vështirë është fillimi”, tha ajo.

E pyetur nëse do i jepte të gjitha për personin që e shoqëroi te tapeti i kuq, Enxhi u përgjigj: “Po do i jepja sepse dhe ai do i jepte të gjitha. Është një person që më mbështet në gjithçka”, tha këngëtarja.

Këngëtarja Vesa Kelmendi u shpreh në prapaskenë se performanca në festival ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe se publiku ishte i mrekullueshëm. Ajo tha gjithashtu se ka marrë mesazhe mbështetëse si “Bravo Vesa”, të cilat e kanë emocionuar.

“Filtrat dhe fasadat duhet t’ia heqim botës dhe të jemi më realë e paqësorë,” u shpreh ajo, duke theksuar nevojën për më shumë sinqeritet në shoqëri.

Një moment i bukur ishte dhe zbulimi i profesionit të vërtetë të Jet, i cili ishte shumë i emocionuar. Gazetari Andri Xhahu zbuloi se Jet është mjek në jetën e përditshme. “Mundohemi të kurojmë njerëzit dhe me muzikë”, tha Jet.

Drina Sheu ka zbuluar mesazhet e para pas performancës nga familja, autori i këngës, por edhe miqtë. Sa i përket dashurisë, ajo thotë “nuk e kam një emër”.

Për Akullthyesit çdo gjë ka shkuar mirë në performancën e tyre. Lideri Ymer Ashiku tha se organizimi dhe gjithçka i shkon më së miri emrit si festival pranvere.  

“Kjo është hera e katërt në Festivalin e Pranverës. Është një festival pranverë, si e ka emrin. Më pëlqen shumë mënyra e organizimit, stafi, të rinj, të sjellshëm. E kam shijuar shume”, tha ai.

Frensi nga ana tjetër ka treguar planet e saj, punët që ka në dorë dhe ambicien për festivalin e fundvitit.

Në “backstage” ka ardhur edhe anëtarja e jurisë digjitale Sarah Berisha e cila tha se nuk mungojnë emocionet edhe në vendin e tyre. “Vlerësimi ynë do të jetë për gjithë pamjen e artistëve, performancën, emocionet, ‘vibe’-n që sjell. Është emocion të dalësh në skenë, por edhe për ne që jemi ulur, sepse është përgjegjësi për të vlerësuar dhe për të dhënë pikët”, tha influencerja Sarah Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme