Operacion antidrogë në Tiranë, në pranga dy persona me mbi 5 kilogramë heroinë dhe kokainë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një operacion antidrogë është finalizuar mesditën e sotme në Tiranë, duke çuar në pranga dy persona të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të konsiderueshme.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Policisë Vendore të Tiranës, Oliger Torba, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se operacioni i koduar “Drejtimi” është zhvilluar në rrugën “Kastriotët”.

Sipas Torbës, shërbimet e Policisë kanë pikasur një automjet me dy persona brenda dhe kanë ndërhyrë për kontrollin e tij.

Gjatë kontrollit, në automjet është gjetur një çantë me shtatë pako me lëndë narkotike. Katër prej pakove përmbanin heroinë me peshë totale 2 kilogramë e 123.6 gramë, ndërsa tre pakot e tjera kokainë me peshë 3 kilogramë e 120.6 gramë. Në total, mbi 5 kilogramë lëndë narkotike.

Në pranga janë vënë Mirand Herri, 51 vjeç, banues në Maminas, dhe Luftim Hoxha, 41 vjeç, lindur në Dibër e banues në Maminas.

Sipas drejtuesit të Policisë Vendore, dyshohet se droga do të transportohej në drejtim të Durrësit.

“U bë shoqërimi i këtyre shtetasve dhe hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë”, deklaroi Oliger Torba, duke shtuar se operacioni është pjesë e punës së vazhdueshme të strukturave vendore për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

Torba theksoi se Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe evidentimin e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike.

Ai bëri apel për bashkëpunim nga qytetarët duke theksuar se “Denonconi në kohë pranë strukturave të Policisë dhe në numrin 112 çdo rast të paligjshmërisë. Na mbështesni dhe na besoni akoma më shumë dhe, së bashku, të garantojmë një ambient akoma dhe më të sigurt.”

Hetimet vijojnë për të zbardhur itinerarin e plotë të lëndës narkotike, destinacionin e saj dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme