Orkestra Simfonike e RTSH, koncert me muzikë nga Medelssohn dhe Telemann
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të sjellë për publikun artdashës një koncert për violinë dhe piano në Re minor dhe uverturën e “The Hebrides” nga romantiku gjerman Felix Mendelssohn (lex. Mendelson). Gjithashtu programi do të përmbajë edhe vepra nga kompozitori gjerman Georg Philipp Telemann.
“Jam shumë e kënaqur që paraqitem përpara publikut të Tiranës ditën e premte në orën 19:00 me një koncert shumë të bukur të Mendelsonit për piano dhe violinë, me orkestrën e harqeve të Radio Televizionit Shqiptar. Vij së bashku me kolegen time Ksenia Milas, me të cilën luajmë shpesh muzikë dhome. Koncerti i Mendelsonit është një vepër shumë e freskët, verore do të thosha, sepse nuk ka dramaturgji shumë të madhe,” shprehet pianistja Merita Rexha.
Ky koncert sjell për herë të dytë në Shqipëri dirigjentin dhe violinisten italiane Facundo Agudin dhe violinisten italiane Ksenia Milas.
“Ky koncert i së premtes është një mundësi e mrekullueshme për të ndjekur një koncert klasik, sepse është një koncert klasik, ku do të luhet muzikë nga Mendelsoni dhe Telemani, por është një koncert shumë i freskët, shumë i veçantë. Koncerti që do të luajmë me Meritën është një koncert që luhet shumë rrallë. Është një koncert shumë i freskët, shumë virtuoz, jashtëzakonisht virtuoz dhe i vështirë, por shumë, shumë i këndshëm për publikun. Prandaj jam e sigurt që do t’ju pëlqejë,” thotë znj. Milas.
“Pjesa e parë është një premierë absolute. Është një suitë nga Teleman. Telemani është një mik i mirë i virtuozit Johann Sebastian Bach. Kështu që kjo është një traditë e madhe baroku dhe po bëjmë një lloj eksperimenti me Orkestrën, duke luajtur me ngjyra të reja. Jo me instrumente të reja, por me ato që kemi, po hidhemi në ujëra të reja. Është një moment shumë i gjallë, rreth 15 minuta. Më pas luajmë Koncertin e Dyfishtë të Mendelsonit. Ky koncert është një vepër shumë e veçantë, sepse është sikur të marrësh një sonatë normale, një format muzikor dhome për violinë dhe piano, dhe pastaj nga pas t’i shtosh një orkestër. Nuk është një koncert normal. Është një vepër shumë e rafinuar për një publik mbretëror. Dhe në fund luajmë një pjesë që zakonisht luhet në fillim të koncertit, sepse është një uverturë. Quhet “The Hebrides”. Është një vepër shumë romantike, me orkestër të madhe, dhe Orkestra e njeh shumë mirë këtë pjesë, kështu që jam i lumtur që performoj me ta,” shprehet dirigjenti Agudin.
Koncerti do të vijë për publikun të premten në datën 13 qershor në Sallën e Universitetit të Arteve.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




