Paqja fiskale në fuqi- Lehtësi për biznesin, pikëpyetje për disiplinën tatimore

Ekonomi | 9 muaj më parë

Nga 1 janari ka hyrë në fuqi marrëveshja e ashtuquajtur e “Paqes Fiskale”, e cila u ofron bizneseve të mëdha një marrëveshje vullnetare me administratën tatimore. Në këmbim të parapagimit të tatimit mbi një bazë të rritur, subjektet përfitojnë shmangien e kontrolleve tatimore dhe mundësinë për të korrigjuar pasqyrat financiare pa penalitete.

Aspekti i parë që ekonomisti Klodian Muço vë në dukje lidhet me detyrimet e papaguara para vitit 2024, të cilat përbëjnë rreth 68% të borxhit tatimor.

 “Këtë nuk e shikoj si problematikë. Në njëfarë mënyre, përderisa janë borxhe që kompani të falimentuara s’kanë për t’u marrë më, le të fshihen”, deklaroi Muço.

Aspekti i dytë ka të bëjë me subjektet që do të përfitojnë një pagesë të reduktuar prej 5% për detyrimet e gjeneruara pas vitit 2014.

“Përtej të gjithave që shihet si aspekt pozitiv, por gjeneron pabarazi.  Në sensin që, një biznes i ndershëm që ka paguar, ka qenë korrekt në të kaluarën, “dëmtohet” nga kjo situatë”, shtoi ai.

Ndërsa aspekti i tretë lidhet me mundësinë e rishikimit të bilanceve financiare të tre viteve të fundit.

“Do i jepet mundësi shumë kompanive që të rikuperohet teorikisht informaliteti i gjeneruar në të kaluarën, kështu që e shikoj si një rikuperim informaliteti, një rritje të ardhurash për arkat e shtetit. Por nëqoftëse sistemi i monitorimit nuk është shumë skrupuloz, atëherë rrezikojnë që brenda këtij sistemi të depërtojnë dhe paratë e gjeneruara nga krimi”, theksoi eksperti.

Muço e konsideron sektorin e ndërtimit si më të ekspozuarin ndaj riskut të pastrimit të parave.

“Vetë mekanizmi i ndërtimit, janë këto kontratat e shitjes me rezervë, kontratatme shitje të parakohshme që ka mundësinë të spostojë në kohë pagesat edhe të ardhurat. Kjo ëhstë një problematikë shumë e madhe për sektorin e ndërtimit dhe duket sikur e avantazhojnë. Ndoshta kjo është arsyeja”, deklaroi Muço.

Sipas ekspertit, marrëveshjet e përsëritura fiskale dërgojnë një mesazh të gabuar, duke krijuar pritshmërinë se detyrimet mund të shtyhen dhe rregullohen më vonë pa pasoja. Kjo, sipas tij, dëmton kulturën e pagesës së rregullt të taksave dhe penalizon tatimpaguesit korrektë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme