Pas orësh negociata, dalin pamjet nga çasti kur Refit Buzi liroi ish-partneren të marrë peng
Janë publikuar pamjet nga momenti kur 35-vjeçari Refit Buzi liron 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, të cilën e kishte mbajtur peng për disa orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec.
Në video shihet negociatori i forcave speciale RENEA duke marrë në krah të renë dhe duke e larguar disa metra nga automjeti ku ajo mbahej peng. Më pas, ai e vendos Rozalinda Plakën në anë të rrugës dhe rikthehet pranë makinës për të vijuar negociatat me autorin.
Ngjarja nisi me një krim të rëndë, ku 35-vjeçari vrau me armë gjahu ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën e tij. Pas krimit, ai mori peng ish-të fejuarën dhe u largua nga vendngjarja.
Lirimi i 24-vjeçares u bë i mundur vetëm pas disa orësh negociatash intensive me forcat RENEA, të cilat kishin rrethuar zonën ku fshihej autori.
Pas rreth tetë orësh negociata, Refit Buzi i dha fund jetës duke u vetëvrarë me të njëjtën armë gjahu që kishte përdorur për të kryer krimin.
Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, deklaroi se gjatë operacionit 35-vjeçari kishte kërcënuar në disa raste se do të vetëvritej, kërcënim që e realizoi menjëherë pas lirimit të pengut.
Ndërkohë, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




