PDK dhe Aleanca protestë para selisë së qeverisë, akuzojnë Kurtin dhe ministrat në detyrë si bllokues të institucioneve
“Kurti me ministrat e tij janë uzurpues, ndërsa Kosova është në krizë dhe pasojat po i ndjejnë qytetarët.” Me këto akuza deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës të mbështetur nga anëtarë të Asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës, aktivistë të këtij subjekti, por edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës vijuan aksionin politik para godinës së qeverisë.
“Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i bllokuar, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë”, Fjolla Vukshinaj-Reçica, anëtare e Asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës.
“… Ne po i themi sot troç, Albin Kurtit dy gjëra. E para që ai dhe ministrat e tij, të cilët janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. Dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend e t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit…. Dëmi është shumë i madh dhe ka vetëm një njeri që sot nuk lodhet për stagnimin në të gjitha drejtimet që e ka Republika e Kosovës”, tha Blerta Deliu, Deputete e PDK-së.
“Porosia është shumë e thjeshtë që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet…. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet dhe me e kthyer logjikën e partisë që e udhëheq parti shtet”, Besnik Tahiri, deputeti i AAK-së.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca nga 7 gushti, ku u ndërpre konstituimi i Kuvendit vijojnë protestat para godinë së qeverisë dhe në selinë e Kuvendit, ku kërkojnë vazhdimin e seancës, por Lëvizja Vetëvendosje kërkon që më parë të arrihet një marrëveshje politike për presidentin e ri, mungesa e së cilës sipas atij subjekti do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




