“Peaky Blinders: The Immortal Man” kryeson listën e filmave më të rekomanduar për marsin, çfarë e pret Tom Shelby-n?

Marsi sjell një valë filmash të shumëpritur në kinema dhe në platformat streaming, por sipas përzgjedhjes së kritikëve, një nga titujt më të rekomanduar të muajit është rikthimi i sagës së famshme kriminale me Peaky Blinders: The Immortal Man.
Nga viti 2013 deri në 2022, seriali Peaky Blinders ndoqi historinë e një bande nga Birmingham në vitet 1920-1930, duke e kthyer Cillian Murphy në një yll ndërkombëtar dhe duke rikthyer në modë kapelat “flat cap”. Prandaj, njoftimi për një film pasues nuk ishte aspak surprizë.

“Peaky Blinders” transmetohet edhe në RTSH 1 çdo të hënë dhe të mërkurë, në orën 22:00. Shikuesit kanë mundësi të ndjekin filmin në sezonin e pestë të tij duke u bërë kështu gati edhe për seritë e reja.
Sipas BBC, “The Immortal Man” vendoset gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anti-heroi Tommy Shelby rikthehet në Birmingham, ndërsa qyteti goditet nga bombardimet gjermane. Krahas personazheve të njohur nga seriali, në film shfaqen edhe emra të rinj si Rebecca Ferguson, Tim Roth dhe Barry Keoghan, i cili luan djalin e Tommy-t.
A do të jetë kjo paraqitja e fundit e Tommy Shelby-t? Krijuesi i serisë dhe skenaristi i filmit, Stephen Knight, nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. “Shpresoj të ndihet si fundi i një romani, kapitujt e fundit të një historie të gjatë, që e mbyll rrëfimin dhe përgatit publikun për atë që vjen më pas,” ka deklaruar ai.
Filmi del më 6 mars në kinematë e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar
Ndër filmat e tjerë të përzgjedhur për marsin është animacioni Hoppers nga Pixar Animation Studios, ku një vajzë fut mendjen e saj në trupin e një kastori robotik për të komunikuar me kafshët, në një histori plot humor dhe mesazhe ekologjike.
Në zhanrin e komedisë së zezë vjen The Good Boy, me Stephen Graham dhe Andrea Riseborough, ku një çift rrëmben një 19-vjeçar për ta “riedukuar” sipas standardeve të tyre.
Regjisorja Maggie Gyllenhaal sjell The Bride!, një interpretim modern i klasikes Bride of Frankenstein. Me Jessie Buckley dhe Christian Bale në rolet kryesore, filmi zhvendos historinë në Çikagon e viteve 1930, duke e kthyer në një dramë kriminale plot ngjyra dhe energji.
Në mesin e premierave janë edhe drama sportive Saipan, adaptimi romantik Reminders of Him bazuar në romanin e Colleen Hoover, dokumentari i modës Marc by Sofia, vazhdimi horror Ready or Not 2: Here I Come, aventura fantastiko-shkencore Project Hail Mary me Ryan Gosling, si dhe drama e errët franceze Alpha.
Megjithatë, mes gjithë këtyre titujve, rikthimi i Peaky Blinders në format filmik konsiderohet si ngjarja kryesore e muajit – një prodhim që synon të mbyllë një epokë televizive me një kapitull të madh kinematografik.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




