Përmbytje të banesave e fermave në qarkun Fier, nis procesi i verifikimit të dëmeve

Aktualitet | 9 muaj më parë

Shirat e shumtë kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në disa banesa dhe ferma në qarkun Fier.

Konkretisht në fshatin Ferras, autoritetet kanë nisur procesin e verifikimit të dëmeve, ndërsa në Mbrostar, rritja e nivelit të lumit Seman ka shkaktuar humbje të bagëtive dhe probleme serioze për fermerët e zonës.

Grupet e punës në terren po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga uji në banesa, orendi dhe infrastrukturë, në një proces që sipas autoriteteve vendore kërkon kohë.

Ndërkohë, situata në Mbrostar Ura paraqitet shumë problematike për shkak të rritjes së nivelit të lumit Seman, ku janë raportuar edhe ngordhje të bagëtive. Specialistë të emergjencave civile pohojnë se niveli i Semanit ka pësuar rritje të nivelit dhe dalje nga shtrati. Fermerët po përballen me humbje të konsiderueshme, ndërsa autoritetet vendore dhe emergjencat civile qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

Nënkryetari i Bashkisë Fier, Nusret Avdullain ka deklaruar se verifikimi i dëmeve nuk është një proces i lehtë dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me banorët e prekur nga përmbytjet. Ai apeloi për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve, veçanërisht gjatë njoftimeve paraprake për rrezikun dhe marrjen e masave mbrojtëse.

“Thirrjet për evakuim nuk bëhen rastësisht, por bazohen në vlerësime dhe rreziqe reale. Banorët duhet t’u përgjigjen njoftimeve në kohë, për të shmangur situata të rrezikshme për jetën dhe pronën”, tha Avdullai.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar, të respektojnë udhëzimet zyrtare dhe të shmangin zonat e rrezikuara deri në përmirësimin e situatës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme