Përshpejton kthimin në shtetet e origjinës, Mitsotakis: Kemi hartuar ligj më të ashpër për azilkërkuesit e refuzuar

Greqia ka përgatitur legjislacionin që do të vendosë dënime më të ashpra për azilkërkuesit e refuzuar dhe do të përshpejtojë kthimet në vendet e tyre të origjinës, tha të mërkurën kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Greqia ishte në epiqendër të krizës me migrantë në vitet 2015-2016, kur më shumë se 1 milion persona u larguan nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe shkuan në Evropë.
Rritja e numrit të azilkërkuesve nxiti thirrjet që shtetet në kufirin jugor të Evropës, sikurse Greqia dhe Italia, të forcojnë kufijtë e tyre.
Shifrat kanë rënë që atëherë. Por migrimi mbetet një çështje e ngarkuar politikisht në Greqi dhe Mitsotakis është zotuar të ashpërsojë qëndrimin e tij.
“Dënimet do të jenë më të rënda për ata që hyjnë në vend ilegalisht ose qëndrojnë në vendin tonë, nëse kërkesa e tyre për azil refuzohet”, tha Mitsotakis në një mbledhje të kabinetit të mërkurën, ku u diskutua një projektligj i ri për migracionin e paligjshëm.
Mitsotakis tha se projektligji do të synojë gjithashtu të përshpejtojë kthimet përmes një “mekanizmi më efektiv dhe të drejtë”. Rregulloret do të kenë nevojë për miratim parlamentar përpara se të hyjnë në fuqi.
Fluksi i migrantëve në Greqi ra me 30% në katër muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, pasi më pak njerëz hynë përgjatë kufirit të saj lindor me Turqinë.
Mijëra azilkërkues, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, ndodhen të bllokuar në Greqi.
Për të përshpejtuar proceset e azilit dhe për të ulur presionin mbi sistemet e azilit, Komisioni Evropian propozoi javën e kaluar ndryshimin e legjislacionit evropian për t’u lejuar shteteve anëtare të dëbojnë azilkërkuesit e refuzuar nëse ata mund të dërgohen në një vend të tretë që konsiderohet i sigurt nga blloku evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




