Pier Ferdinando Casini mbyll një epokë: Largohem nga Parlamenti pas 44 vitesh, por politika nuk braktiset

Pas një karriere rekord që e ka parë atë të ulet në stolat e Parlamentit italian për më shumë se katër dekada, politikani i njohur katolik Pier Ferdinando Casini ka njoftuar se nuk do të kandidojë më në zgjedhjet e ardhshme politike. Njoftimi u bë përmes një interviste emocionale e reflektuese dhënë për të përditshmen “Corriere della Sera”.
Zgjedhur pa ndërprerje që nga viti 1983 dhe Kryetar i Dhomës së Deputetëve nga viti 2001 deri në vitin 2006 (si dhe një nga emrat kryesorë të diskutuar për President të Republikës në vitin 2022), Casini deklaroi se ka ardhur koha t’u lihet hapësirë gjeneratave të reja.
“Kam vendosur: në zgjedhjet e ardhshme politike, pas 44 vitesh, nuk do të kandidoj përsëri. Po largohem nga Parlamenti. Besoj se ka ardhur koha t’u lëmë vendin personaliteteve më të afërt me partitë dhe koalicionet që do t’u prezantohen votuesve. I falënderoj të gjithë për besimin. Do të ndalem këtu,” u shpreh Casini.
Politikani tregon se këtë vendim e kishte diskutuar privatisht vetëm me fëmijët e tij, të cilët fillimisht nuk e kishin marrë seriozisht, por që në fund ranë dakord se “ka ardhur koha t’i jepet fund”.
Ditët më të lumtura, lotët e vitit 1983 dhe tragjedia e Biagit
Gjatë intervistës, Casini u rikthye pas në kohë duke kujtuar mëngjesin e korrikut 1983 kur hyri për herë të parë në Montecitorio si deputet i ri i Demokracisë Kristiane (DC):
“Hapa një nga kabinat telefonike të papërshkueshme nga zhurma dhe telefonova babanë tim, Tommaso. I thashë vetëm ‘Jam këtu’ dhe shpërtheva në lot. Fotografia e tij në skenë me Alcide De Gasperi më ka ndjekur në çdo tavolinë pune.”
Si ditën më të lumtur të karrierës së tij ai cilëson momentin kur, në cilësinë e Kryetarit të Dhomës, priti në Parlament Papën Gjon Palin II — “një njeri, një shenjtor, i cili i përcolli ndjesi unike një të krishteri si unë”.
Në krahun tjetër, dita më e trishtueshme mbetet ajo e vrasjes së ekonomistit Marco Biagi nga Brigadat e Kuqe:
“Më telefonuan në shtëpi për të më dhënë lajmin. Marco ishte një mik i dashur fëmijërie që vinte çdo verë për të më dhënë mësime latinishte e greke gjatë pushimeve.”
Vlerësimet për figurat e politikës italiane, nga Berlusconi te Meloni e Schlein
Casini ndau edhe mendimet e tij për protagoinstët e skenës politike të djeshme dhe të sotme:
- Giorgia Meloni: “Ajo ka demonstruar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme sepse ka mbajtur mbi supe gjithë peshën e koalicionit. Megjithatë, ndonjëherë, duke u përpjekur të jetë konsistente, rrezikon të shihet si kokëfortë.”
- Elly Schlein: “Është gjithashtu kokëfortë dhe do të ishte gabim i rëndë ta nënvlerësonin. Ajo është e aftë t’i flasë një bote të re që nuk është e lidhur me politikën tradicionale.”
- Silvio Berlusconi: “Më karizmatiku. Dëshira e tij për të kënaqur ishte aq e fortë saqë përfundonte duke u pëlqyer edhe armiqve të tij.”
- Gianfranco Fini: Politikani më i nënvlerësuar. “Pa përparimin e Fiuggi-t, Giorgia Meloni sot nuk do të ekzistonte.”
- Amintore Fanfani: Demokrati më i madh i krishterë. “Njeriu pas ‘planit të strehimit’, miku i La Pira-s dhe J.F. Kennedy-t.”
- Giorgio Napolitano dhe Nilde Iotti: Ndër figurat e e majtës që ai admironte më shumë për vizionin historik dhe aftësinë për t’i thënë jo linjës së partisë kur e kërkonte interesi i vendit.
Me largimin e Pier Ferdinando Casinit, Parlamenti italian humbet një nga dëshmitarët dhe protagonistët më jetëgjatë të tranzicionit nga “Republika e Parë” te politika bashkëkohore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




