Plagosje me thikë mes Poliklinikës në Shkodër, arrestohen babë e bir

Aktualitet | 3 muaj më parë

Dy persona, babë e bir, janë arrestuar nga policia pas një incidenti të rëndë me armë të ftohtë që ndodhi mesditën e sotme në ambientet e Poliklinikës në lagjen “Vasil Shanto” në qytetin e Shkodrës.

Sipas policisë, 18-vjeçari A. F. ka plagosur me thikë 32-vjeçarin V. K. brenda poliklinikës, ku i plagosuri po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Krahas arrestimit të 18-vjeçarit, policia ka vënë në pranga edhe babain e tij, 53-vjeçarin A. M., të cilin e akuzon si bashkëpunëtor në ngjarje.

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për “vrasje me dashje në tentativë të kryer në bashkëpunim”.

Ndaj 18-vjeçarit rëndojnë edhe akuzat për mbajtje pa leje të armës së ftohtë dhe prishje të qetësisë publike.

Më herët gjatë ditës, policia arrestoi në flagrancë edhe 41-vjeçarin A. K., vëllanë e të plagosurit, duke parandaluar një incident tjetër kriminal në lidhje me të njëjtën ngjarje.

Ndërkaq, hetimet intensive vazhdojnë për të sqaruar plotësisht motivet e incidentit dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale, për dokumentimin e autorësisë dhe përgjegjësive në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në lagjen “Vasil Shanto”.

Lokalizohet dhe vihet në pranga 18-vjeçari që plagosi me mjet prerës (thikë), shtetasin V. K., në ambientet e Poliklinikës.

Gjithashtu në pranga, babai i 18-vjeçarit, si bashkëpunëtor në krim.

Si rezultat i kontrolleve intensive, si dhe veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, me qëllim ndalimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të përfshirë në ngjarjen e sotme, në lagjen “Vasil Shanto”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

-A. F., 18 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”;

-A. M., 53 vjeç, babai i 18-vjeçarit, banues në Shkodër, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me mjet prerës (thikë), në ambientet e Poliklinikës, shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Në lidhje me këtë ngjarje, më herët, shërbimet e Policisë parandaluan një ngjarje kriminale duke arrestuar në flagrancë shtetasin A. K., 41 vjeç, vëllanë e shtetasit V. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme