Platforma piramidale TXEX, josh qytetarët shqiptarë me premtime investimesh të rreme në kriptovaluta

Aktualitet | 1 vit më parë

Një skemë e re mashtrimi po prek qytetarët shqiptarë.

Platforma e quajtur TXEX dhe disa të tjera të ngjashme me të po operojnë pa asnjë lloj certifikimi apo license ligjore, duke u paraqitur si mundësi “të sigurta” investimi në kriptovaluta.

Këto platforma funksionojnë në formën e një skeme piramidale të sofistikuar, duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe aplikacione komunikimi, si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të joshur viktimat me premtime përfitimesh të mëdha.

Vetëm në grupin TXEX në Telegram janë mbi 6 mijë qytetarë të anëtarësuar.

Një nga viktimat e kësaj skeme është edhe një djalë nga Lezha, i cili duke ruajtur identitetin e tij ka treguar për RTSH si ra pre e kësaj platforme dhe na ka dhënë akses në llogarinë e tij.

“Neve na u prezantua si një mundësi për të fituar lekë shpejt, sepse kishte njerëz që po fitonin. Fitonin shuma të vogla, jo shumë të mëdha. Loja ka që në janar që është në xhiro, por në qershor–korrik u përhap më shumë, se erdhën njerëzit tanë, emigrantë nga jashtë. Jua prezantuan atyre si një mundësi të artë. Unë kam investuar 2 mijë euro. Nuk kam tërhequr asnjë lloj leku, sepse loja u bllokua. Kam futur nën vete katër persona. Dikush me 1 mijë [euro], dikush me 2 mijë, dikush me 3 mijë… dhe rashë pre e këtij mashtrimi online. U sugjeroj gjithë të tjerëve të evitoni platformat online, sepse janë të gjitha mashtrim!” apelon ai.

Teksa nuk dihet ende sesa është saktësisht numri i atyre që kanë humbur paratë, eksperti i IT, Shahin Dokuzi, shpjegon skemën që po përdoret.

“Këto platforma janë të stilit piramidal. Për shembull, ti investon 1 mijë euro. Të thonë do të të japin bonuse të larta. Normalisht popujt e varfër, sidomos Shqipëria, tërhiqen nga këto reklamat ‘të fitoj shpejt’. Investon 1 mijë euro, të kthejnë 100 euro një herë në dy muaj, pastaj 100 euro. Ti mendon se po fiton. Ti thjesht po merr nga ajo që ke hedhur deri në momentin kur thua ‘të hedh 10 mijë tani, sepse duke qenë se po marr, do marr akoma më shumë’. Atëherë nuk merr më!” thotë z. Dokuzi.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në lidhje me këto platforma që qarkullojnë online, ka nisur një hetim zyrtar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik Financiar.

Nga ana tjetër, edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka bërë të ditur se po merr masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka apeluar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm, pasi përfshirja në këto skema sjell humbje financiare të parikuperueshme dhe rrezik për cenimin e të dhënave personale.

AKSK u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e mashtrimeve digjitale, duke theksuar se raportimi i tyre ndihmon në rritjen e sigurisë kibernetike.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme