Polemika në Francë, policia vendos furgonët para pastiçerisë së familjes së Brigitte Macron

Botë | 2 orë më parë

Prania e disa furgonëve të policisë përpara pastiçerisë së familjes së Brigitte Macron në qytetin e Amiens ka shkaktuar polemika në Francë, pas protestave dhe akteve të dhunës të regjistruara më 17 tetor.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë automjete të forcave të rendit të pozicionuara përpara dyqanit të njohur Trogneux, i lidhur me familjen e bashkëshortes së presidentit francez, Emmanuel Macron. Sipas sindikatës së policisë “Alliance”, prania e efektivëve ka ngritur dyshime për përdorimin e forcave të rendit për të mbrojtur një biznes privat, ndërkohë që shumë tregtarë të tjerë në vend janë përballur me dëmtime dhe grabitje gjatë protestave.

Sindikalistët kanë kërkuar shpjegime për vendosjen e efektivëve përpara pastiçerisë, duke vënë në pikëpyetje nëse biznesi ka përfituar trajtim të veçantë për shkak të lidhjeve familjare me presidentin e Francës.

Prefektura e Somme-s i ka mohuar akuzat se një kompani e forcave speciale të policisë, të njohura si CRS, ishte caktuar posaçërisht për të mbrojtur dyqanin Trogneux. Sipas autoriteteve, efektivët u dërguan në qendër të Amiens për të përforcuar forcat vendase dhe për të garantuar sigurinë e bizneseve në zonë, në kushtet e përshkallëzimit të dhunës.

Por shpjegimi nuk e ka bindur Johan Cavalleron, drejtues të sindikatës “Alliance”, i cili ka kundërshtuar mënyrën se si është justifikuar vendosja e policisë.

“Qendra e Amiens është mjaft e madhe. Atëherë, pse nuk i vendosën ato furgonë përpara katedrales apo një ndërtese tjetër?”, është shprehur ai, duke vënë në pikëpyetje vendndodhjen e zgjedhur për dislokimin e forcave.

Çështja ka rikthyer në vëmendje edhe një incident të vitit 2023, kur pastiçeria e familjes Trogneux u vu në shënjestër të protestuesve kundër reformës së pensioneve. Gjatë asaj ngjarjeje, një i afërm i Brigitte Macron, i cili punonte në biznes, u sulmua teksa përpiqej të largonte protestuesit.

Sipas përfaqësuesit të sindikatës, edhe në atë rast policia ishte angazhuar për mbrojtjen e dyqanit. Ai ka theksuar se efektivët nuk duhet të angazhohen për të ruajtur një biznes vetëm sepse ai i përket familjes së presidentit, por duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë tregtarëve.

Polemika vjen në një kohë kur autoritetet franceze po përballen me kritika për menaxhimin e protestave dhe dhunën ndaj bizneseve. Ndërsa sindikata kërkon transparencë për shpërndarjen e forcave të policisë, prefektura këmbëngul se ndërhyrja kishte për qëllim garantimin e sigurisë në të gjithë zonën dhe jo mbrojtjen e privilegjuar të një biznesi të vetëm.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme