Policia e Kosovës arreston dy persona për krime lufte në Zubin Potok, dyshohen për zhdukjen e 23 intelektualëve të Mitrovicës në vitin 1999

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, në një rast që sipas burimeve nga Prokuroria Speciale lidhet me një nga ngjarjet më të rënda të personave të zhdukur gjatë luftës, rrëmbimin dhe zhdukjen e 23 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës në prill të vitit 1999, raporton Kosova Press
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, janë arrestuar pas veprimeve hetimore, pasi dyshohet se në prill të vitit 1999, në territorin e Zubin Potokut, kanë kryer krime kundër popullatës civile shqiptare. Sipas dyshimeve të autoriteteve, si pasojë e këtyre veprimeve janë vrarë 23 civilë shqiptarë.
Me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Ndërkohë, burime nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për KosovaPress se arrestimet lidhen me hetimet për zhdukjen e 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të cilët u ndaluan më 19 prill 1999 në zonën e Zubin Potokut, ndërsa po largoheshin drejt Malit të Zi.
Sipas këtyre burimeve, dy personat e arrestuar dyshohet se kanë njohuri për këtë rast, ndërsa hetimet ndodhen ende në fazën fillestare.
Në mesin e të zhdukurve ishte edhe mjeku i njohur, dr. Adem Ademi, si dhe 22 intelektualë e qytetarë të tjerë nga Mitrovica. Që nga dita e ndalimit të tyre nuk është mësuar më asgjë për fatin e tyre dhe ata vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Për vite me radhë janë zhvilluar kërkime në disa zona ndërmjet Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Istogut, ku dyshohet se mund të ndodhet një varrezë masive, por deri më tani nuk është identifikuar asnjë lokacion që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të tyre. Gjithashtu, familjarët dhe institucionet kanë kërkuar që hetimet dhe kërkimet të shtrihen edhe në zonën e Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi.
Në përvjetorin e 25-të të zhdukjes së tyre, më 19 prill 2024, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kujtoi këtë rast, duke theksuar se grupi i intelektualëve u pa për herë të fundit në rrethin e Zubin Potokut, ku sipas tij u ndalua nga forcat e ushtrisë jugosllave.
Në mesin e të zhdukurve janë: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu dhe Xhemail Meziu.
Sipas deklaratës së Kurtit, pas vrasjes së tyre, trupat u zhdukën në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




