Policia e Kosovës kap sasi të madhe armatimi, municioni e uniforma në veri
Policia e Kosovës ka prezantuar sot armatimin, municionin, uniformat dhe pajisjet e tjera të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.
Ekspozimi i arsenalit u bë në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, ku u mbajt një konferencë e jashtëzakonshme për media.
Në konferencë morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Ata prezantuan rezultatet e operacioneve të fundit, duke theksuar se është sekuestruar një sasi e konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës në Zubin Potok.
Sveçla deklaroi se ky zbulim është rezultat i një hetimi intensiv dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke shtuar se arsenalët e gjetur lidhen me zonat ku janë zbuluar tri varreza masive me mbetje mortore të 23 personave.
“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, tha Sveçla.
Ai theksoi se sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i varrezave masive janë dëshmi të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke rikujtuar se veriu i vendit është përdorur për fshehjen e trupave të viktimave.
Sipas tij, në tri lokacione të ndryshme janë gjetur mbetje mortore të 13, 4 dhe 6 personave.
Ministri në detyrë shtoi se Serbia ka investuar vazhdimisht për ta mbajtur veriun të destabilizuar dhe rezistent ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, gjatë konferencës, prezantoi publikisht armatimin, municionin dhe pajisjet e konfiskuara, duke nënvizuar se operacionet do të vazhdojnë për të garantuar rendin dhe sigurinë në veri të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












