Prapaskenat e Festivalit të Pranverës, Andri Xhahu e Antoneta Koçi shprehin emocionet e tyre, pas kuintave
Festivali i Pranverës në RTSH nuk është vetëm një garë mes artistësh, por edhe përjetim i fortë emocionesh. Skena i vesh artistët me magjinë e saj, ndërsa përjetimet janë po aq të forta edhe para interpretimit live për publikun.
Një hap larg skenës do të jenë gazetari dhe moderatori Andri Xhahu, së bashku me moderatoren Antoneta Koçin. Ata zbulojnë te rejat për këndin e prapaskenave ku do te presin artistët në garë.
“Backstage-i, ose paskena e festivalit, tashmë është kthyer në një traditë, por për mua është hera e parë që në Festivalin e Pranverës do të jem në këtë hapësirë që kemi menduar ta sjellim ndryshe. E kemi rikonceptuar, sepse nuk do të jenë vetëm emocionet e artistëve, por duke qenë se një pjesë e mirë janë artistë të rinj, dhe nga ana tjetër duke shkuar në sinkron me filozofinë e festivalit për të qenë më të freskët, më rinor dhe më energjik, kemi menduar që artistët të sjellin jo vetëm emocionet e tyre, por të jenë edhe intervistues të njëri-tjetrit.
Pra, secili do të bëjë një pyetje për artistin pasardhës, në mënyrë që të jetë më shumë interaktive, të ketë më shumë bashkëveprim dhe të marrim më shumë ndjesi nga emocionet e tyre, por edhe t’i njohim më shumë artistikisht, duke qenë se një pjesë e tyre ngjiten për herë të parë në skenën e festivalit”, tha moderatori, Andri Xhahu.
“Ju ftoj të na ndiqni pasi surprizat nuk do të jenë vetëm në skenën e festivalit të pranverës, por edhe në backstage në datën 6 dhe 7 qershor në RTSH 24”, tha moderatorja Antoneta Koçi.
Një mundësi drejt suksesit janë edhe artistët e rinj. Për ta, debutimi në Festivalin e Pranverës është një rrugë e sigurt drejt afirmimit në arenën e muzikës shqiptare.
Më datë 6 dhe 7 qershor, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të kthehet në shtëpinë e muzikës, ku artistë, publiku dhe emocionet do të bashkohen në një spektakël që premton të jetë ndër ngjarjet më të veçanta të këtij sezoni artistik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




