Presidenti i ri në Kosovë/ Hasani: Të zgjidhet pas konstitutimit të deputetëve
Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet para se të krijohet ekzekutivi i ri. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, u shpreh se sipas ligjit themeltar të shtetit dhe detyrimeve që rrjedhin nga ai, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
“Është rregull kushtetues. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, paragrafi 162, e bën të qartë si loti që çdoherë kur nuk ka president, pra kur pozita është vakante, ai zgjidhet i pari. Kur, siç është rasti konkret. Atëherë janë gjashtëdhjetë ditë dhe vazhdon… Unë, gjykuar sipas përvojës, zoti Kurti s’është marrë fare as me Kushtetutë, as me ligj. I ka shkelur në mënyrën më primitive të mundshme, që do të mbahet mend në historinë politike të këtij vendi. Ai mund të insistojë dhe të vazhdojë me qeveri, e mandej me president… Në qoftë se bëhen marrëveshje, organet e tjera zgjidhen aty. Për njëherë paradite presidenti, mbasdite qeveria”, u shpreh Hasani.
Mosdakordësia mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri, pas mbarimit të mandatit të Vjosa Osmanit, çoi në shpërbërjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës dhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, në Kuvend mbahen tre raunde. Në dy raundet e para, kandidati për postin më të lartë të shtetit duhet të marrë një shumicë të cilësuar prej dy të tretash ose 80 votash nga 120 deputetët që ka Kuvendi, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash.
Që procesi të jetë i vlefshëm, në të tre raundet në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




