Presidenti Trump pezullon disa sanksione ndaj Rusisë, hyn në fuqi ligji i ri amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të pezullojë zbatimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë, të miratuara nga Kongresi i SHBA-së, pavarësisht se ligji i ri synon të rrisë presionin ekonomik ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Në një urdhër ekzekutiv të premten në mbrëmje, Trump argumentoi se pezullimi i disa masave është në “interesin kombëtar” të Shteteve të Bashkuara. Presidenti e kishte nënshkruar ligjin në shtator, ndërsa hyrja e tij në fuqi ishte parashikuar për 18 tetor.
Vendimi vjen pak ditë pasi Trump deklaroi se SHBA-ja do të importojë naftë ruse, me synimin për të ulur çmimet e energjisë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen në nëntor. Deklarata ka shkaktuar reagime të forta nga ligjvënës amerikanë të të dyja partive.
Ligji i sanksioneve, i njohur si ligji Graham, parashikon masa ekonomike ndaj Rusisë dhe i jep presidentit amerikan kompetenca për të vendosur tarifa deri në 100% ndaj pesë blerësve kryesorë të naftës dhe gazit rus, mes tyre Kina dhe India.
Masat përfshijnë gjithashtu sanksione ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, zyrtarëve të lartë të qeverisë ruse, bankave dhe institucioneve financiare, si dhe anijeve të cisternave që Moska përdor për të anashkaluar kufizimet ekzistuese.
Të enjten, një grup prej 20 ligjvënësish amerikanë, demokratë dhe republikanë, i kërkoi Trumpit të zbatojë plotësisht ligjin e ri. Në letrën e tyre, ata theksuan se zbatimi i sanksioneve është thelbësor për të ushtruar presion ndaj Putinit dhe për ta detyruar atë t’i marrë seriozisht negociatat e paqes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




