Presidentja sllovene viziton RTSH, Orkestra Simfonike luan pjesë nga kompozitori Bojan Adamiç

Muzikë | 3 vite më parë

Në kuadër të vizitës së presidentes sllovene Natasha Pirc Musar në Radio Televizionin Shqiptar, Orkestra e RTSH-së do të luajë për nder të saj pjesë nga kompozitori i njohur slloven Bojan Adamiç.

Duke folur në një intervistë për RTSH-në, etnomuzikologu Vasil Tole theksoi se Bojan Adamiç ka dhënë një kontribut  të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën në fushën e muzikës.

Sipas Toles, orkestrimet e Adamiçit kanë qenë model për klasën muzikore të kompozitorëve të Kosovës.

“Bojan Adamiç ka dhënë një kontribut të spikatur përveç Shqipërisë pasi u largua, edhe në jetën muzikore të Kosovës. Madje orkestrimet e tij kanë qenë model për klasën muzikore të kompozitorëve të Kosovës për mënyrën sesi kompozohet orkestracioni modern me idiomat e muzikës folklorike. Adamiçi është i respektuar nga ne për shkak të kontributit që ka dhënë në një kohë të vështirë por shumë të domosdoshëm për muzikën shqiptare”, u shpreh Tole.

Tole e konsideroi luajtjen e pjesëve muzikore të kompozitorit Adamiç nga orkestra e RTSH-së, si një mirënjohje ndaj figurës dhe kontributit të tij në muzikën shqiptare.

“Kjo që po bën Radio Televizioni Shqiptar, që e ka bërë Akademia e Shkencave që e ka kujtuar me disa veprimtari, Ministria e Kulturës apo Qendra Ndërkombëtare e Librit duke financuar botimin e librit “Kompozitori Bojan Adamiç në Shqipëri”, është një shenjë pjekurie e institucioneve tona për të thënë; faleminderit një kolegu apo një shteti të nderuar siç është Sllovenia”, theksoi Tole.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme