Prishtina në sytë e gazetarit irlandez, mes ndeshjes së futbollit dhe protestave për lirinë e çlirimtarëve

Kosovë | 51 minuta më parë

Përgatitjet për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Irlandës kanë tërhequr vëmendjen e mediave irlandeze, të cilat krahas futbollit kanë raportuar gjerësisht për atmosferën në kryeqytet dhe protestat pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gazetari David Sneyd i “The 42”, në një reportazh nga Prishtina përshkruan kontrastin mes atmosferës sportive dhe zhvillimeve politike.
Ai nis rrëfimin nga Bulevardi “Nënë Tereza”, ku tifozët irlandezë janë përzier me qytetarët në një ambient të qetë, duke shijuar kafenetë, akulloret dhe ushqimet tradicionale, ndërsa disa prej tyre prisnin ndeshjen pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.

Sneyd vëren se atmosfera e zakonshme e qytetit ndërthuret me tensionin e protestave që po zhvillohen vetëm pak metra larg.
Një pjesë e madhe e reportazhit i kushtohet protestave pas vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gazetari përshkruan flamujt e UÇK-së, pankartat me mesazhe si “Jo në emrin tim”, “Sillini në shtëpi” dhe “Liria ka emër”, si dhe posterët gjigantë me fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së të vendosur në sheshin kryesor.
Sneyd përmend dy burra që ecnin në bulevard, njëri me bluzë ku identifikohej si veteran i UÇK-së dhe tjetri me stemën e UÇK-së dhe fotografitë e katër ish-krerëve të saj.
Gazetarja e Kanal 10, Diona Krasniqi, citohet të ketë thënë se protestat pritet të jenë paqësore: “Do të jetë paqësore, askush nuk bën asgjë të keqe, ne thjesht po protestojmë për popullin tonë.”


Sneyd raporton gjithashtu për një grup prej rreth 100 fëmijësh që marshonin në bulevard duke brohoritur “UÇK”, disa prej tyre me bluza të Cristiano Ronaldos, të tjerë me simbole të UÇK-së dhe fotografinë e Thaçit.
Ai përshkruan skenën ku fëmijët kalonin pranë statujës së Nënë Terezës dhe skulpturës së një libri të hapur, ndërsa flamujt e kuq e të zinj të UÇK-së dhe flamujt kombëtarë shqiptarë valëviteshin përgjatë rrugës.


Sneyd e paraqet ndeshjen Kosovë–Irlandë jo vetëm si një ngjarje sportive, por si një takim që zhvillohet në një moment kur Prishtina është e mbushur me simbole të protestës dhe mesazhe politike. Ai vëren kontrastin mes tifozëve irlandezë që shijojnë atmosferën e qytetit dhe protestuesve që kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Kosova dhe Irlanda do të përballen në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve, në një ndeshje që përtej sportit reflekton edhe realitetin politik dhe shoqëror të kryeqytetit kosovar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme