Protesta e PD, hidhen molotovë e fishekzjarrë ndaj Kryeministrisë dhe Parlamentit, Berisha: Jemi opozitë e vërtetë, do shpëtojmë Shqipërinë
Me tensione dhe akte dhune u shënua protesta e tretë kombëtare e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë. Pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, disa protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë, duke mos iu përgjigjur thirrjeve të policisë për të ndaluar veprime të tilla.
Pas disa minutash sulme ndaj godinës së Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën përpara godinës së Parlamentit, ku edhe aty situata u përshkallëzua, teksa disa prej tyre vijuan hedhjen e molotovëve drejt institucionit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për vjedhje dhe korrupsion, teksa shtoi se PD përfaqëson opozitën e vërtetë “që do shpëtojë Shqipërinë”
“Kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot. Miliarda euro. Jemi këtu për t’u zotuar se ne do rikthejmë mediat e lira në Shqipëri, zgjedhjet e lira dhe se Shqipëria do të jetë një vend normal, vendi i njerëzve të lirë. Nëse Enver Hoxha përdori kundër shqiptarëve policinë politike, Edi Rama përdor organizatat kriminale. Jemi këtu për t’u zotuar për zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë, do ta shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë, do ndëshkojë 2 herë më shumë qeveritarët që largohen. Sot përsëri, sytë e europës, e shqiptarëve janë të drejtuara tek ne dhe vetëm tek ne. Nëse 35 vite më parë, me të drejtë pyesnin a janë apo s’janë opozitë këta, sot, pas betejave tona, nuk pyet kush më jemi apo s’jemi, jemi uragani, forca, opozitë e vërtetë, do shpëtojmë Shqipërinë”, tha Berisha.
Edhe pse policia nuk e kishte aprovuar zhvillimin e kësaj proteste për shkak të akteve të dhunës në 2 protestat e kaluara, sërish u morën masat për mbarëvajtjen e saj. Më shumë se 1300 efektivë ishin në terren, të përqendruara përpara godinës së kryeministrisë, aty ku po zhvillohet protesta.
Në godinë e Kryeministrisë janë vendosur kordonët metalikë, përforcuesit për dyert si dhe gjatë gjithë bulevardit ka kamera me rezolucion të lartë, të cilat do të monitorojnë mbarëvajtjen e protestës.
Protestuesit zhvendosen para Parlamentit, hedhin molotovë, Policia i shpërndan me ujë
Pas tensioneve të krijuara përpara Kryeministrisë, ku u hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt godinës, protestuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën përpara Parlamentit.
Edhe aty situata u përshkallëzua, teksa disa prej tyre vijuan hedhjen e molotovëve drejt institucionit.
Policia ndërhyri me mjete speciale, duke përdorur ujë për të shpërndarë protestuesit.
Protesta e PD, hidhen fishekzjarrë e molotovë ndaj Kryeministrisë, Policia: Ndaloni, po dëmtoni efektivët
Molotovë dhe fishekzjarrë janë hedhur në drejtim të kryeministrisë gjatë protestës së Partisë Demokratike. Protestuesit kanë injoruar thirrjet e policisë për të ndaluar sulmet, duke vijuar goditjet drejt godinës qeveritare.
“Ndaloni sulmin mbi policinë, po dëmtoni punonjësit e policisë. Përgjegjësit do përgjigjen para ligjit”, bën thirrje policia.
Megjitahtë, protestuesit kanë vijuar me sulmet, duke bërë që policia të përgjigjet duke i shpërndarë me ujë.
Kjo është protesta e tretë kombëtare e PD-së, ndërsa po ashtu edhe në dy protestat e mëparshme janë regjistruar akte të dhunshme.
Protesta e PD-së/ Berisha: Sot nderojmë 20 shkurtin, Edi Rama i ka kohërat e numëruara
Në fjalimin e tij nga sheshi para Kryeministrisë gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përkujtuar 35-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, duke e lidhur atë ngjarje historike me situatën aktuale politike në Shqipëri.
Berisha u shpreh se 35 vite më parë, qytetarët nuk mund të imagjinonin se pas kaq kohësh do të përballeshin sërish me një regjim të ngjashëm.
“20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në qytetin e studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorë, grevës së urisë për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit Skënderbej, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë në një betejë, e cila shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë. Në një betejë paqësore që ka shndritur dhe do të shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilin përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës. Përmbysën regjimin i cili në 46 vite shtetëzoi, ekzekutoi, burgosi, persekutoi, varfëroi, mjeroi më shumë shqiptarët se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre. Nderim përjetë atyre guximtarëve që si luanë u vërsulën mbi shtatoren e diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare”, u shpreh Berisha.
Tabaku në protestën e PD: Bashkimi i opozitës në një front të gjerë, rruga e vetme për Shqipërinë
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka mbajtur fjalën në protestën e PD-së para kryeministrisë. Ajo kujtoi rrëzimin e monumentit të diktatorit 35 vite më parë “si një moment historik për lirinë e shqiptarëve”.
“Rrëzimi i monumentit të diktatorit 35 vite më parë, ishte çasti kthesës së madhe në historinë tonë. Ky ishte triumf i një të vërtete të madhe të historisë, të gjithë diktatorët bien, rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë. Liria triumfon gjithmonë. 35 vite më pas, ne jemi në shesh, përballë një autokrati të lindur, ku pakica sundon mbi shumicën. Një qeverisje që braktis qytetarët e saj. Sot Shqipëria është një republikë ku të korruptuarit bëjmë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo është ajo që Edi Rama ka ndërtuar, ku bizneset luftojnë për mbijetesë, ku familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, po shtyp shtresën e mesme”, tha Tabaku.
Deputetja bëri thirrje për bashkimin e një fronti të gjerë opozitar.
“Kjo nuk është një betejë partiake, por betejë për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve, për drejtësinë e barabartë. Në këtë përvjetor ne duhet të jemi më të fortë se kurrë. Brenda forcave tona opozitare ka pasur debate edhe që na kanë ndarë, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin me bindje të plotë dhe t’i themi se ato që na ndajnë nuk janë kurrë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveçse bashkimit bashkë në një front të gjerë”, theksoi Tabaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




