Protesta në Francë/Mbi 1 mijë të arrestuar pas tubimeve masive në të gjithë vendin

Europë | 53 minuta më parë

Përleshjet shpërthyen në të gjithë Francën të shtunën ndërsa qindra mijëra protestues dolën në rrugë. “Policia arrestoi gati një mijë persona ndërsa oficerët u përballën me një nivel jashtëzakonisht të lartë dhune nga ekstremistët ultra të majtë të veshur me të zeza”- tha ministri i Brendshëm Laurent Nunez.

Pas një dite me demonstrata kryesisht paqësore, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit në disa qytete, përfshirë Parisin, Marsejën, Lionin, Bordeaux-n, Lille-n, Tuluzin, Montpellier-in dhe Nantën. “Dy persona u plagosën rëndë”- bëri të ditur Nunez, duke konfirmuar se ngjarjet u regjustruan në Tuluzë dhe Clermont-Ferrand, pa dhënë detaje për gjendjen e asnjërit prej tyre.

Sipas Ministrisë Brendshme franceze rreth 410 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës, ndërsa sindikatat pretendojnë se numri i tyre arriti në 800 mijë. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, në terren u angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie dhe u vendosën kufizime në disa qytete.

Në fund të protestës ministri Laurent Nuñez, deklaroi se në Paris u mblodhën disa mijëra aktivistë radikalë, mes tyre rreth 500 persona të identifikuar si pjesëmarrës në trazira. Mes protestave në rritje, Marine Le Pen, kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente nisi këtë të dielë fushatën për zgjedhjet e prillit të vitit të ardhshëm, ndërsa synon të pasojë në detyrë Emmanuel Macron.

Kandidati presidencial i të majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, i cili marshoi te shtunën në Paris, tha se kjo lëvizja do të përsëritet çdo javë. Protesta e së shtunës erdhi një javë pas demonstratave të dhunshme, kur mbi 2.500 persona u arrestuan dhe më shumë se 2 mijë biznese u prekën nga grabitjet dhe shkatërrimet, me dëmet ekonomike që vlerësohen në qindra miliona euro.

Protesta masive, të nxitura nga probleme të ngjashme me ato në Francë, tronditën edhe disa qytete të tjera evropiane. Në Barcelonë, më shumë se 100 spanjollë u arrestuan pas një protestë studentore, ndërsa përleshje u raportuan edhe në kryeqytetin belg, Bruksel.

Në Milano, në veri të Italisë, një operacion i gjerë sigurie, ku morën pjesë qindra ushtarë krahas policisë, pengoi grumbullimin e protestuesve në qytet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme