Protesta para Parlamentit-Avokati i Popullit nis hetim administrativ për dhunën e policisë ndaj qytetarëve

Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ pas dyshimeve për ushtrim dhune ndaj qytetarëve në protestën e zhvilluar përpara Parlamentit.
Përmes një reagimi zyrtar, institucioni shpreh shqetësim të thellë për pamjet filmike ku shfaqen efektivët duke goditur fizikisht protestuesit gjatë shoqërimit.
Sipas Avokatit të Popullit, këto veprime ngrenë dyshime serioze për shkelje të dinjitetit njerëzor dhe përdorim joproporcional të forcës.
Gjatë një inspektimi në ambientet e paraburgimit për të verifikuar kushtet dhe respektimin e të drejtave, grupi i monitorimit konstatoi një shkelje tjetër procedurale.
“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me pamjet e bëra publike gjatë ndërhyrjes së Policisë në protestën përpara Parlamentit. Pamjet e shoqërimit të protestuesve ngrenë dyshime serioze për përdorim joproporcional të forcës dhe cenim të dinjitetit njerëzor.
Avokati i Popullit u paraqit ditën e sotme në komisariat për të verifikuar në vend kushtet e ndalimit, trajtimin e personave të shoqëruar dhe respektimin e të drejtave të tyre procedurale. Aksesi i menjëhershëm iu lejua grupit tonë të monitorimit, por jo avokatëve të të ndaluarve. Institucioni ka nisur një hetim administrativ me iniciativë (ex-officio). Nga këqyrja paraprake e pamjeve filmike, konstatojmë pamje që tregojnë goditje fizike ndaj protestueve gjatë shoqërimit. Këto pamje ngrenë dyshime serioze për trajtim degradues dhe përdorim joproporcional të forcës”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Institucioni ka njoftuar nisjen e një hetimi administrativ me iniciativë dhe ka vendosur një afat prej 48 orësh për Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) që të dorëzojnë: Urdhrin operacional të ndërhyrjes në protestë.
Avokati i Popullit rikujton se parimi i proporcionalitetit e lejon forcën vetëm për të neutralizuar një rrezik real dhe ajo duhet të ndërpritet sapo ndalon rezistenca.
“Institucioni ka nisur një hetim administrativ me iniciativë (ex-officio). Nga kqyrja paraprake e pamjeve filmike, konstatojmë pamje që tregojnë goditje fizike ndaj protestueve gjatë shoqërimit. Këto pamje ngrenë dyshime serioze për trajtim degradues dhe përdorim joproporcional të forcës. Parimi i proporcionalitetit lejon forcën vetëm për të neutralizuar një rrezik real dhe kërkon që forca të ndërpritet në çastin që rezistenca pushon. Reagimi ndaj akteve simbolike nuk justifikon në asnjë rast dhunën fizike ndaj trupit të njeriut”, theksohet më tej në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Në përfundim të hetimit, institucioni paralajmëron se do të kërkojë masa të rrepta administrative për çdo efektiv apo drejtues që ka shkelur ligjin, duke garantuar monitorim maksimal për mbrojtjen e së drejtës kushtetuese për të protestuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




