Qendra shëndetësore verore në Gjirokastër, 300 vizita të realizuara në 2 muaj
E vendosur në zonën e Pazarit Karakteristik, qendra shëndetësore verore në Gjirokastër që prej qershorit është në shërbim të vizitorëve por edhe qytetarëve. Me funksionim 24 orësh ka pritur raste të ndryshme që kanë kërkuar ndihmë e cila i është ofruar nga stafi i saj i përbërë nga dy mjekë dhe tre infermierë.
“Kemi pasur disa raste specifike, si matje të tensionit, mjekim të plagëve, alergji të ndryshme, pickime nga insektet ose nga barërat, si edhe alergji të shkaktuara nga barërat. Gjithashtu, kemi kryer matje të glicemisë për personat me diabet dhe kemi trajtuar plagë të ndryshme. Shumica e rasteve kanë qenë rrëzime, pasi terreni në Gjirokastër është disi i vështirë dhe turistët shpesh nuk janë të mësuar të ecin në një terren të tillë. Ka pasur edhe trauma të lehta”, u shpreh mjeku Arif Korro.
Gjatë korrikut ka filluar edhe aplikimi i tarifave për çdo vizitor të huaj që i drejtohet qendrës shëndetësore.
“Vizita te mjeku ka një tarifë të caktuar, ashtu si edhe mjekimi i plagëve. Për shembull, vizita te mjeku kushton 10.000 lekë të vjetra. Edhe mjekimi i plagëve kushton 10.000 lekë të vjetra, pasi bëhet fjalë për një trajtim mikrokirurgjikal dhe jo për një mjekim të thjeshtë. Ndërsa një injeksion kushton 3.000 lekë të vjetra. Përveç këtyre, ofrohen edhe shërbime të tjera me tarifat përkatëse”, tha ai.
Në 60 ditë të qershorit dhe korrikut bashkë, bluzat e bardha të qendrës verore shëndetësore në qytetin e gurtë kanë trajtuar 300 raste të ndryshme emergjencash.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





