Qendra shëndetësore verore në Gjirokastër, 600 raste të trajtuara përgjatë 4 muajve

Shëndet | 54 minuta më parë

Me përfundimin e shtatorit u përmbyll edhe misioni  i 36 qendrave shëndetësore në vend. Për të dytin vit radhazi një e tillë funksionoi edhe në Gjirokastër e cila iu përgjigj rreth 600 rasteve të ndryshme emergjencash, të ardhura nga vizitorët por edhe banorët vendas.

Sipas mjekut Arif Korro, kryesisht, kanë qenë patologji që lidheshin me stinën e nxehtë, por edhe raste dëmtimesh, nisur edhe nga terreni i qytetit të gurtë.

“Dermatitet e ndryshme alergjike nga pickimet e insekteve, kontuzionet dhe distorsionet, domethënë përdredhjet e kyçeve, edhe shembjet e ndryshme. Të tjera diagnoza të shpeshta kanë qenë helmimet ushqimore, të cilave ne ua kemi dhënë ndihmën kryesisht këtu. Ndonjë rast të rëndë e kemi çuar edhe në spital”, u shpreh mjeku, Arif Korro.

Për herë të parë këtë vit në këto qendra u aplikuan edhe tarifat e unifikuara për shërbime të caktuara për turistët e huaj, të cilat ishin të publikuara në ambientet e tyre. Në Gjirokastër që prej hyrjes në fuqi të këtij vendimi rezulton të kenë paguar 70 persona.

“Përgjithësisht, turistët e huaj, qofshin me video, qofshin në librin e përshtypjeve, kanë lënë përshtypje shumë të mira. Kanë qenë të kënaqur me shërbimin, qoftë edhe me atë tarifë simbolike, e cila për ta është vërtet simbolike. Nuk ka pasur asnjë reagim”, tha ai.

Sivjet qendra shëndetësore në qytetin e gurtë u vendos pranë pazarit karakteristik, ku dhe fluksi i vizitorëve është më i lartë. Në këtë qendër dhanë shërbimin e tyre 24 orësh duke u alternuar 5 mjekë dhe infermierë.

Gazetare: Y.Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme