Rama: Masa të reja për tregun e karburanteve dhe luftën kundër abuzimeve
Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” njoftoi masa të reja për tregun e karburanteve, duke u fokusuar në kontrollin e abuzimeve dhe rritjen e transparencës. Ai tha se, për shkak të rritjes globale të çmimit të naftës, qeveria ka vendosur të ulë përkohësisht akcizën me rreth 20%, duke lehtësuar barrën mbi përdoruesit e automjeteve. Sipas Ramës, çdo përfitim shtesë nga rritja e çmimit do të shkojë për mbrojtjen e pensionistëve.
“E lashë në fund këtë shënim, jo për nga rëndësia, por përkundrazi, sepse është një shënim që është përkon me një moment jashtëzakonisht të ndërlikuar në rang global, që ka impaktuar drejtpërdrejt të gjithë zinxhirin e furnizimit të karburantit dhe që reflektohet në mënyrë agresive në rritjen e çmimit të naftës.
Kemi folur për këtë gjatë ditëve të fundit. Është një temë që kërkon vëmendje dhe ka vëmendjen tonë të vazhdueshme, orë pas ore dhe siç e kemi thënë, kemi ndërmarrë hapa konkretë, është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep.
Në të njëjtën kohë është marrë edhe një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %, në mënyrë që të lehtësohet, si të thuash, disi barra mbi përdoruesit e automjeteve. Por ndërkohë, dua ta them shumë, shumë qartë, që në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilido qoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët”, theksoi Rama.
Ai nënvizoi gjithashtu përparimin e projektligjit për rezervat strategjike dhe ndërhyrjen e një faktori publik në tregun e naftës, me qëllim të vendosjes së ekuilibrit të çmimeve, transparencës dhe luftës kundër evazionit dhe kontrabandës së naftës në Shqipëri.
Në fokus është mbrojtja e konsumatorëve dhe ndëshkimi i atyre që ndotin mjedisin pa përgjegjësi, duke synuar një treg më të drejtë dhe të kontrolluar.
“Në të njëjtën kohë, ne po ecim me shpejtësi nga njëra anë për projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik. Është një proces i nisur përpara se të fillonte kjo krizë e re, që lidhet me humbjen e baraspeshës së botës në rang global, gjë e cila po provokon kriza pas krizash. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, ne po përgatitemi që të fusim në treg një faktor publik, një forcë të re, e cila do të ketë barrën, që së bashku me një sërë masash tjera të bëjë një ndërhyrje domethënëse në vendosjen, jo vetëm të një ekuilibri në aspektin të çmimit në tregun e naftës, por edhe të një niveli krejt të ri për sa i përket transparencës së atij tregu, për sa i përket lëvizjeve të naftës në Republikën e Shqipërisë dhe për sa i përket edhe një fenomeni ende të pashterur në këtë aspekt, që është evazioni dhe kontrabanda e naftës, duke përfituar edhe nga regjimi tranzit dhe duke bërë marifete të cilave ju ka ardhur fundi.
Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë, jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



