Rama: Nga praktika në punësim, 1,600 të rinj janë sot pjesë e administratës
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në eventin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, ku u prezantuan rezultatet e arritura në përmbyllje të Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës. Programi, i cili prej 10 vitesh po shndërron përvojën në punësim konkret, ka shërbyer si një urë lidhëse mes universitetit dhe administratës publike.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama përgëzoi të rinjtë që kanë fituar mundësinë për kontratë 1-vjeçare pune, duke i inkurajuar të vijojnë synimin për t’u përfshirë përfundimisht në administratën publike, ndërsa u bëri thirrje edhe atyre që nuk e kanë fituar këtë mundësi të mos dorëzohen. Ai theksoi se procesi bazohet në meritë, megjithëse, si çdo proces tjetër, ka edhe mangësi që po adresohen vit pas viti.
Sipas Kryeministrit, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës ka punësuar përfundimisht rreth 1,600 të rinj në administratën shtetërore gjatë këtyre viteve, duke krijuar një trupë burimesh njerëzore cilësore me potencial për të qenë drejtuesit e së ardhmes në institucione publike. Rama nënvizoi se ky program ka ndihmuar në kapërcimin e një pengese të rëndësishme për të rinjtë, mungesën e eksperiencës së nevojshme për konkurrimet në shërbimin civil.
“Ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1600 persona. Administrata publike në vetvete është një trupë jo shumë e madhe dhe këto numra nuk janë pak.
Janë 1600 burime njerëzore cilësore që kanë potencialin të zhvillohen vijimësisht dhe kanë kapacitetin potencial që të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, departamenteve dhe drejtorive, e kështu me radhë.
Kjo praktikë ka qenë një urë e ngritur me universitetin për t’iu dhënë mundësi më të mirëve që të kenë një sallë pritje ku aktivisht të vetëofrohen si punonjës të rinj të shtetit.
Nga ana tjetër vlerësoj se kemi kapërcyer një ngërç përmes këtij programi që i ka penguar në të shkuarën vajzat e djemtë që të fitojnë konkurset e shërbimit civil për shkak të mungesës së eksperiencës”, deklaroi Rama.
Gjithashtu, Kryeministri foli për projektin e Garancisë Rinore, një nismë e përbashkët e qeverisë shqiptare me Komisionin Europian, me vlerë rreth 65 milionë euro, e cila synon identifikimin dhe aktivizimin e të rinjve me potencial, ofrimin e mbështetjes ekonomike, trajnimeve, aftësimit profesional dhe mundësive konkrete të punësimit, si dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre në jetën sociale dhe ekonomike.
“Dua t’ju flas me një projekt të madh që ka qeveria së bashku me KE, që është projekti i garancisë rinore.
Ky projekt ka synim të identifikojë dhe aktivizojë të rinjtë që kanë potencial por që nuk janë aktiv në kërkimin e rrugës së nxjerrjes së më të mirës nga vetja, ka qëllim të ofrojë mbështetje ekonomike, trajnime dhe aftësim profesional për të rinjtë, të sigurojë mundësi konkrete punësimi, të sigurojë vazhdimin e arsimit të formimit profesional dhe praktikave dhe të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhje ekonomike të komunitetit.
Do t’ju sugjeroja të njiheni me këtë projekt, që është një projekt dhe financiarisht i qenësishëm, rreth 65 milionë euro”, shtoi ai.
Duke folur për të ardhmen e administratës publike, Rama bëri të ditur se qeveria po ndërmerr edhe një riformatim të legjislacionit për administratën publike, me qëllim krijimin e më shumë fleksibiliteti dhe mundësish të reja punësimi. Ai u shpreh se rezultatet e programit të praktikave të punës në ministri dhe institucione kanë qenë mjaft inkurajuese, duke theksuar se qeveria do të vijojë të shtyjë përpara agjendën e thithjes së burimeve më të mira që dalin nga universitetet, që janë aktive në shoqëri dhe që i përkasin brezit të ri.
“Ne po bëjmë dhe një tjetër riformatim të legjislacionit për administratën publike për të krijuar më shumë fleksibilitet dhe më shumë mundësi. Me bindjen se kjo është rruga dhe me provën q rezultate e këtij programi të praktikave të punës brenda ministrive e institucioneve kanë qenë shumë inukurajuese, ne do vazhdojmë të shtyjmë përpara agjendën e thithjes së burimeve më të mira që dalin nga universiteti, që janë aktive në shoqëri dhe që i përkasin grupit tuaj shoqëror”, theksoi ai.
Në përfundim, Rama u bëri thirrje të rinjve që gjatë periudhës së kontratave 1-vjeçare të investojnë maksimalisht në aftësimin e tyre profesional, duke theksuar se burimet njerëzore cilësore janë gjithnjë e më të domosdoshme për administratën dhe shoqërinë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




