Rama reagon pas protestës së PD: Dhunë dhe shkatërrim i pronës publike

Aktualitet | 9 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme (24 janar). Në reagimin e tij, Rama e ka cilësuar protestën si një akt dhune të organizuar, duke e krahasuar me sjellje anarkiste dhe ekstremiste që shkatërrojnë prona publike dhe rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Ai thekson se, ndryshe nga protestat që zhvillohen në vende të ndryshme të Europës nga grupe të ndryshme shoqërore, ekziston vetëm një parti parlamentare që, sipas tij, e ka ushtrimin e dhunës pjesë të pandarë të aktivitetit të saj që nga krijimi.

Shkrimi i plotë:

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për  të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme