Rama: Rritje deri në 70% e pagës për ushtarakët brenda këtij mandati

Aktualitet | 7 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama deklaroi në podcastin e tij “Flasim” se buxheti i vitit 2026 rrit fondet për mbrojtjen me afro 12% krahasuar me vitin e mëparshëm. Sipas Ramës, kjo shërben si përmbushje e angazhimit të Shqipërisë për të qëndruar pranë objektivit të rritjes së financimeve të vendit në NATO, ashtu edhe si një përpjekje për të përmirësuar trajtimin financiar të forcave tona të armatosura.

Ai njoftoi se nga janari ka hyrë në fuqi rritja e pagave për ushtarakët, ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar edhe mbulimi i kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv. Rama theksoi se ky është një hap i mirëpritur dhe se synimi mbetet që brenda këtij mandati, paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet deri në 70%, duke e afruar atë me mesataren e pagave në vendet e NATO-s.

“Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t’i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm, gjë që ishte natyrisht edhe rezultati i angazhimit tonë për t’i qëndruar skedulës së rritjes së financimeve të vendeve të NATO-s, por edhe për t’i qëndruar zotimit për një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura. Në fund të shkurtit, vendosëm dhe rritjen e pagave për ushtarakët, me një efekt të drejtpërdrejtë nga janari dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, kemi miratuar dhe mbulimin e kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv. Ky është një hap i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ata, që nën uniformën e Forcave tona të Armatosura i shërbejnë vendit në çdo front dhe synimi ynë mbetet një pagë konkurruese dhe një trajtim financiar, që deri në fund të këtij mandati do të jetë në mesataren e vendeve të NATO-s. E thënë ndryshe deri në fund të këtij mandati, objektivi i  parashikuar dhe në ndërkohë i përkthyer në një plan rritje të pagës, është që paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet me deri në 70 %”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme