Rebelimi ndaj Putinit/ Biden: SHBA dhe as aleatët s’kanë gisht në kryengritjen e Vagnerit

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se kryengritja e mercenarëve rusë kundër Kremlinit është pjesë e një lufte brenda sistemit rus dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj s’kanë asnjë lidhje me këtë rast.
“Ne e bëmë të qartë se nuk ishim të përfshirë, nuk kishim të asgjë bënim me këtë rast,” tha Biden, duke iu referuar kryengritjes ndaj regjimit të Kremlinit që shpërtheu gjatë fundjavës.
Biden tha gjithashtu se ai bisedoi gjatë me Presidentin Zelenskyy dhe i tha atij se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, transmeton Al Jazeera.
Ndërkaq, më herët, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka deklaruar se Moska po heton për përfshirjen e shërbimeve inteligjente të Perëndimit si të përfshira në kryengritjen e grupit Vagner.
“Shërbimet speciale ruse po hetojnë nëse shërbimet e inteligjencës perëndimore ishin të përfshira në ngjarjet që ndodhën në Rusi të shtunën”, tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Rusia ka pretenduar shpeshherë për ndërhyrje nga vendet e huaja në punët e saj të brendshme. Pavarësisht këtyre pretendimeve, Lavrov nuk paraqiti prova apo informacione të mëtejshme për atë që e cilësoi si hetim të nisur nga Moska.
Megjithatë, ai vuri në dukje se ambasadori amerikan në Rusi sinjalizoi se SHBA-ja nuk kishte të bëjë aspak me ngjarjet.
“Dhe u theksua veçanërisht: Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se gjithçka që ndodh është një çështje e brendshme e Federatës Ruse”, u shpreh Lavrov në një video të regjistruar dhe të publikuar në transmetuesin e kontrolluar nga Russia Today.
Ky qëndrim i Moskës vjen pasi shefi Vagnerit, Yevgeny Prigozhin, dyshohet se nxiti një rebelim të armatosur, por më pas u largua dhe pranoi një marrëveshje për të lënë Rusinë për t’u zhvendosur në Bjellorusi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




