Rënia e popullsisë alarmon Greqinë, Mitsotakis njofton paketë ndihme prej 1.6 miliardë eurosh: Është një kërcënim kombëtar!

Greqia ka njoftuar masa të forta, duke përfshirë lehtësime tatimore dhe stimuj të tjerë financiarë, për të adresuar rënien e popullsisë që po e çon vendin drejt statusit të kombit më të vjetër në Evropë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se paketa e ndihmës prej 1.6 miliardë eurosh është diktuar nga një prej sfidave më të mëdha që përballet vendi mesdhetar, një kri zë demografike me përmasa të paprecedenta.
“E dimë që kostoja e jetesës është një gjë kur nuk ke fëmijë dhe krejt tjetër kur ke dy apo tre,” tha Mitsotakis, pas shpalljes së politikave.
“Prandaj, si shtet duhet të gjejmë mënyra për të shpërblyer qytetarët që zgjedhin të kenë fëmijë. Masat përfshijnë ulje prej 2 pikësh përqindjeje për të gjitha kategoritë tatimore dhe një normë zero për familjet me të ardhura të ulëta që kanë katër fëmijë. Këto masa do të hyjnë në fuqi në vitin 2026.”
Mitsotakis e cilësoi paketën si reformën më të guximshme tatimore të zbatuar në Greqi në më shumë se 50 vjet.
Popullsia greke pritet të bjerë nga 10.2 milionë aktualisht në më pak se 8 milionë deri në vitin 2050, kur 36% e saj do të jetë mbi moshën 65 vjeç, sipas Eurostat.
Ministri i Financave, Kyriakos Pierrakakis, pranoi se rënia ka marrë përmasa ekzistenciale, duke theksuar se normat e fertilitetit janë përgjysmuar që nga fillimi i krizës ekonomike 15 vjet më parë.
“Reforma jonë tatimore do të fokusohet fort në këtë problem… si drejtues i ekipit ekonomik, do të thoja se përparësia jonë kryesore është çështja demografike,” tha ai.
Kriza gati njëdekadëshe e Greqisë është fajësuar gjerësisht për këtë rënie alarmante, veçanërisht për shkak të goditjes që pësuan të rinjtë nga masat shtrënguese të kërkuara në këmbim të fondeve ndërkombëtare të shpëtimit.
Më shumë se 500,000 grekë u larguan nga vendi në kërkim të punës gjatë krizës – një eksod i të rinjve dhe profesionistëve të talentuar që qeveria po përpiqet ta përmbysë.
Zyrtarët paralajmërojnë se rënia e fertilitetit po rrezikon sistemet e pensioneve dhe të shëndetësisë, tregun e punës dhe sigurinë kombëtare, në një kohë pasigurie gjeopolitike.
Që prej vitit 2020, qeveria Mitsotakis ka prezantuar një bonus për foshnjat për të inkurajuar lindjet. Subvencioni është rritur nga 1,700 euro për fëmijën e parë në 3,500 euro për të katërtin, së bashku me një pagesë mujore deri në 140 euro për fëmijë.
Megjithatë, për shkak të kostos së lartë të jetesës në një vend me disa nga pagat më të ulëta në BE, politikat duket se kanë pasur efekt të kufizuar.
Ministria e Arsimit njoftoi këtë muaj mbylljen e mbi 700 shkollave në të gjithë vendin për shkak të mungesës së nxënësve.
Gjithashtu, do të hiqet taksa mbi pasuritë e paluajtshme në zonat e largëta për të inkurajuar të rinjtë të shpërngulen në fshat, ku çmimet janë dukshëm më të ulëta se në qytete.
Strehimi është aq i papërballueshëm saqë shumë të rinj grekë detyrohen të jetojnë me prindërit deri në të 30-at – një tjetër arsye e përmendur për mungesën e interesit për të pasur fëmijë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




