Reshjet fryjnë lumenjtë/ Ministri Salla informon për situatën: Përmbytje në disa toka bujqësore, hidrovoret vijojnë punën normalisht

Ministri i Bujqësisë Andis Salla ka publikuar informacionet e fundit për situatën e krijuar në vend pas reshjeve intensive të dy ditëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, ka tokë bujqësore nën ujë në Mamurras, si dhe disa zona të banuara në Thumanë e Dukagjin. Megjithatë hidrovoret vijojnë punën normalisht.
Situata mbetet e ndërlikuar në Durrës. Nivelet e ujit në lumenjtë Drin (Lezhë) dhe Mat janë ulur me rreth 50 cm, ndërkohë rritje e niveleve në lumenjtë Shkumbin, Seman, Vjosë, Shushicë, Drinos, Pavlla e Madhe, Pavlla e Vogël, Bistrica e Madhe dhe Bistrica e Vogël.
NJOFTIM MBI SITUATËN E KRIJUAR NGA RESHJET E SHIUT
Gjatë natës kanë vijuar reshjet intensive të shiut, kryesisht në ultësirën perëndimore, duke shkaktuar rritje të niveleve të ujit në lumenj dhe kanalet kulluese. Strukturat përgjegjëse janë në terren dhe po ndjekin nga afër çdo zhvillim.
SITUATA SIPAS ZONAVE
🔻 Qarku Lezhë
* Në njësinë administrative Mamurras, për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Droje dhe dëmtimit të një segmenti të argjinaturës, janë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe disa zonave të banuara përgjatë të dy brigjeve, veçanërisht në Thumanë dhe Dukagjin.
* Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës ka dislokuar dy mjete të rënda (ekskavatorë) pranë segmentit të dëmtuar, por ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të niveleve të larta të ujit.
* Në zonën e Lezhës, megjithëse kemi nivele të larta të ujit në kanalet kulluese, kanalet e ujërave të larta Zadrimë dhe Zejmen si dhe në hidrovore, situata paraqitet e qëndrueshme, me përmbytje të lokalizuara, kryesisht në zonat depresive.
* Hidrovoret në Kurbin dhe Lezhë vijojnë punën normalisht.
* Nivelet e ujit në lumenjtë Drin (Lezhë) dhe Mat janë ulur me rreth 50 cm.
🔻 Qarku Durrës
* Situata mbetet e ndërlikuar, sidomos në zonën e Hamallajt.
* Ka një ulje të nivelit të ujit me rreth 50 cm në Hamallaj dhe në kanalin e ujërave të larta “Tone”.
🔻 Vijimi i prurjeve në lumenj
* Është konstatuar rritje e niveleve në lumenjtë: Shkumbin, Seman, Vjosë, Shushicë, Drinos, Pavlla e Madhe, Pavlla e Vogël, Bistrica e Madhe dhe Bistrica e Vogël.
* Aktualisht rrjedhat janë brenda shtratit, me përjashtim të lumit të Kalasës, i cili mbi urën e Gajdarit ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje, duke bllokuar segmentin rrugor kombëtar Sarandë–Delvinë.
🔻 HIDROVORET
* Të gjitha hidrovoret në ultësirën perëndimore, Shkodër, Lezhë, Kurbin, Rrogozhinë, Lushnje, Divjakë, Fier, Vlorë dhe Sarandë, janë në funksion të plotë dhe po punojnë për shkarkimin maksimal të ujërave
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




