Robot që sinjalizon në rast zjarri, Daniel Isufaj ndërton prototipin që mat dhe intensitetin e dritës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Daniel Isufaj, është një prej të rinjve pogradecarë që ka zgjedhur të ndërtojë të ardhmen e tij profesionale në fushën e teknologjisë dhe informatikës. Pas përfundimit të studimeve, Danieli ka nisur të aplikojë njohuritë e marra në një projekt konkret. Me mundësitë e tij financiare, ai ka ndërtuar prototipin e parë të një roboti multifunksional, i cili mund të monitorojë temperaturën, lagështirën dhe intensitetin e dritës, si dhe të sinjalizojë në rast zjarri.

“Kam krijuar një robot inteligjent me mikrokontrolluesin ESP32 që është një nga pajisjet më të njohura të kësaj fushe dhe përdoret gjerësisht në projektet e kësaj fushe. Gjithashtu në lidhje me këtë mikrokontrollues kam përdorur dhe sensorë të ndryshëm duke i kombinuar dhe si përfundim kam nxjerrë një robot i cili ka aftësinë të lëvizi, të monitorojë kushtet atmosferike. Na shërben si matës i temperaturës, i lagështisë, i intensitetit të dritës dhe i sinjalizuesit të zjarrit ose të tymit”, deklaroi Daniel Isufaj, Inxhinier Informatike.

Danieli synon ta zhvillojë më tej robotin, duke i shtuar funksione të reja dhe duke e përshtatur edhe për përdorim në ujë.

“Ky ishte thjesht një prototip, por më vonë besoj se do krijojë diçka më të avancuar që mund të futet dhe në liqenin tonë për shkak se na duhet të masim ndotjet ose diçka tjetër ose eksplorimin e liqenit, të bëjmë diçka më të sofistikuar”, tha Isufaj.

Shembulli i Danielit tregon pasionin dhe interesin që të rinjtë kanë për teknologjinë, ndërsa sfidë mbetet gjetja e një vendi pune ku këto aftësi të mund të vihen në praktikë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme