Rregulla të reja për dorëzimin e letërnjoftimeve elektronike, qeveria ndryshon vendimin për dokumentet biometrike

Aktualitet | 52 minuta më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në vendimin bazë për dokumentet e identitetit të shtetasve shqiptarë, duke përfshirë zyrtarisht në kuadrin rregullator procedurat dhe mënyrën e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike.

Vendimi i ri, i ndërmarrë me propozim të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe në mbështetje të Kushtetutës e ligjit “Për letërnjoftimin elektronik dhe digjital të shtetasve shqiptarë”, plotëson vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 253, datë 27.4.2007.

Sipas tekstit të miratuar, titullit të vendimit bazë i shtohet togfjalëshi “, … si dhe mënyrën e shpërndarjes …”, duke zgjeruar fushën e veprimit të vendimit. Nëpërmjet shtimit të pikës 2/1, miratohet aneksi nr. 3 bashkëlidhur vendimit, i cili normon konkretisht mënyrën se si do të kryhet shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike për qytetarët.

Ndërkaq, pika 2/2 përcakton terminologjinë zyrtare që do të zbatohet përgjatë gjithë procesit administrativ. Me qëllim qartësimin e kompetencave dhe procedurave, akti i ri përcakton nocionet kryesore.

Autoriteti përgjegjës është shoqëria aksionare e ngarkuar me prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Ndërsa shpërndarja e letërnjoftimit elektronik është procesi i vënies në dispozicion dhe dorëzimit të sigurt të dokumentit te mbajtësi i ligjshëm, pasi të kenë përfunduar fazat e aplikimit dhe personalizimit.

Zyrë aplikimi është struktura e administruar nga autoriteti përgjegjës. Brenda vendit kjo strukturë organizohet në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërsa jashtë territorit të Shqipërisë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme.

Kuadri i ri sipas Aneksit 3, nga vendi i tërheqjes te pamundësia fizike

Aneksi nr. 3 i bashkëlidhur vendimit përcakton se shpërndarja e letërnjoftimit elektronik kryhet, si rregull, në të njëjtën zyrë aplikimi ku është kryer procedura. Megjithatë, për të lehtësuar aksesin e qytetarëve, autoriteti përgjegjës mund të përcaktojë edhe ambiente të tjera, me kusht respektimin e standardeve të sigurisë.

Dokumenti tërhiqet personalisht nga aplikuesi në përputhje me protokollet teknike. Akti parashikon gjithashtu hartimin e procedurave të detajuara teknike për:

  • Zyrat brenda dhe jashtë vendit (pranë misioneve diplomatike e konsullore);
  • Ambiente të tjera të posaçme të miratuara;
  • Rastet e pamundësisë fizike apo objektive të shtetasit për të tërhequr dokumentin në zyrat e caktuara.

Rregullorja e re përcakton me saktësi se çfarë ndodh me kartat e identitetit që nuk tërhiqen nga aplikuesit. Ajo parashikon se këto dokumente do të ruhen nga strukturat e autoritetit përgjegjës për të paktën 12 muaj nga data e prodhimit, por jo më vonë se muaji dhjetor i vitit pasardhës ndaj atij të prodhimit.

Pas përfundimit të këtij afati, autoriteti përgjegjës evidenton dokumentet e patërhequra dhe procedon me asgjësimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi.

Për aplikimet e kryera jashtë vendit, zyrat pranë misioneve diplomatike dhe posteve konsullore do t’i dërgojnë dokumentet e patërhequra brenda 12 muajve përmes rrugës postare pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila më pas ia dorëzon ato autoritetit përgjegjës për kryerjen e asgjësimit.

Për zbatimin e këtyre ndryshimeve ngarkohen drejtpërdrejt Ministria e Punëve të Brendshme dhe shoqëria aksionare përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Akti normativ hyn në fuqi menjëherë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme