Rrezikuan pushuesit duke lundruar pranë bregut, bllokohen 2 mjete lundruese në Vlorë
Policia në Vlorë ka bllokuar dy mjete lundruese dhe ka gjobitur drejtuesit e tyre me rreth 1 milion lekë të reja në total, pasi rrezikuan pushuesit duke lundruar pranë bregut.
Ndërhyrjet u kryen në plazhin e Potamit dhe në “Plazhin e Hidrovorit” pas kontrolleve dhe denoncimeve nga qytetarët.
Pas njoftimit se një gomone po lundronte rrezikshëm afër bregut në Potam, shërbimet e DVKM Vlorë lokalizuan dhe bllokuan mjetin në plazhin e Drimadhes.
Sipas policisë, drejtuesi me iniciale H. L. u ndëshkua me 500 mijë lekë gjobë, ndërsa në “Plazhin e Hidrovorit” gjatë patrullimeve rutinë, policia ndaloi një tjetër gomone që lëvizte pranë bregut.
Drejtuesi E. Sh. u ndëshkua me 510 mijë lekë gjobë, pasi përveç lundrimit në zonë të ndaluar, nuk dispononte as dokumentacionin ligjor në bord.
“Menjëherë pas njoftimit se një mjet (gomone) ishte konstatuar duke lundruar afër bregut, në plazhin e Potamit, shërbimet e DVKM Vlorë organizuan punën për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të tij. Mjeti u lokalizua në plazhin e Drimadhes dhe u bllokua.
Ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi H. L., u ndëshkua me 500 000 lekë gjobë. Gjatë patrullimeve në të gjithë vijën bregdetare në juridiksionin e DVKM Vlorë, u konstatua një tjetër mjet lundrues (gomone), duke lëvizur në afërsi të bregut, në zonën e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”.
Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi E. Sh., u ndëshkua me 510 000 lekë gjobë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas nuk kishte në bord, dokumentacionin e kërkuar nga ligji, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, patrullimi vijon në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë teksa Policia e Shtetit fton “qytetarët, pushuesit dhe vizitorët, që të denoncojnë menjëherë, çdo paligjshmëri që cenon sigurinë detare dhe atë publike në përgjithësi, dhe i garanton se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




