Rriten rastet me viroza në Sarandë, mjekët apelojnë për më shumë kujdes në këtë stinë
Virozat e stinës mbeten rastet më të shpeshta që paraqiten gjatë kësaj periudhe në repartin e pneumologjisë në Spitalin e Sarandës. Sipas mjekut pneumolog, Niko Kuri, këto raste hasen çdo vit në mënyrë të përsëritur, sidomos gjatë periudhave të ndryshimit të motit dhe luhatjeve të temperaturave.
“Është një lloj viroze e re, jo ajo që qarkullonte në muajin gusht, e cila shfaqet me dhimbje fyti, me pak rrufë dhe kollë, dhe kjo është kryesorja. Vërehet një rritje e fluksit këtë periudhë, sidomos gjatë dy javëve të fundit”, u shpreh mjeku.
Për këto raste, mjeku pneumolog, Niko Kuri jep disa këshilla, veçanërisht për pacientët që kanë edhe probleme shëndetësore të tjera shoqëruese, duke theksuar rëndësinë e kujdesit gjatë kësaj periudhe dhe trajtimit në kohë të simptomave.
“Për këtë periudhë, këshillat janë standarde, si për çdo vit. Në radhë të parë, do të vijnë edhe vaksinat për virozat. Përveç atyre që kanë kundër indikacione, të bëjnë vaksinat. Vërtet, është sipas dëshirës, por nga përvoja jonë kemi parë që ndihmojnë shumë. Në raste të tilla, të sëmurët, një-dy-tre ditët e para, të trajtohen me paracetamol, me çajra dhe gjëra të ngrohta, si dhe me vitamina, sidomos vitaminë C”, tha ai.
Rritja e rasteve me viroza stinore gjatë kësaj periudhe konfirmon edhe një herë ndikimin që kanë ndryshimet e temperaturave në shëndetin e qytetarëve, duke bërë të domosdoshëm kujdesin dhe vëmendjen ndaj simptomave të para.
Gazetare: B.Gjyli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





