“Rruga për të kërkuar të drejtat përmes ideve dhe zgjedhjeve”, Rama: Idealistët të ekstremizuar me teoritë destruktive të Antifës
Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat për ndikimin e lëvizjes Antifa në protestat e fundit në Tiranë, duke pretenduar se një pjesë e të rinjve janë radikalizuar nga ideologjia antikapitaliste dhe teoritë që, sipas tij, e shohin dhunën si mjet për të sfiduar institucionet demokratike. Rama deklaroi se në protestë kishte edhe studentë dhe të rinj idealistë, por shtoi se ata ishin keqkuptuar dhe ekstremizuar.
“Rama: Këta janë një pjesë e komponentit kriminal të një proteste e cila u heroizua nga ekranet e korruptuara, nga VIP-at dhe nga të gjithë ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjeve duke grabitur pensionet që paguhen me shuma të majme të padeklaruara, që ndërkohë qajnë hallin e pensionistëve, qajnë hallin e studentëve, kërkojnë më shumë për popullin shqiptar, por përsëri kjo është një temë tjetër”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se akuzat për dhunën nuk nënkuptojnë se studentët dhe qytetarët që kundërshtojnë qeverinë nuk kanë të drejtë të protestojnë. Sipas Ramës, rruga për të kërkuar të drejtat dhe për të kundërshtuar politikisht një qeveri është përballja demokratike përmes ideve, zgjedhjeve dhe protestave paqësore. Ai tha se shumë qytetarë që kanë arsye për të protestuar kundër qeverisë dhe personalisht kundër tij nuk iu bashkuan turmës që, sipas tij, në kulmin e saj arriti në rreth 1,500 persona.
“Fakti është se me ose pa vetëdije, instinktivisht shumë studentë, shumë qytetarë që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht nuk iu bashkuan asaj turme e cila në kulmin e vetë arriti të jetë në 1500 vetë, një konglomerat ku padyshim brenda vetes ka dhe studentë, të rinj e të reja idealistë. Idealistë, por krejtësisht të keqkuptuar, të radikalizuar dhe të ekstremizuar me teoritë destruktive të Antifës dhe të një ideologjie antikapitaliste që te dhuna dhe terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Europën, për të marrë peng vendet demokratike, për të marrë peng institucionet, për të marrë peng këtë rrugë zhvillimi që kemi zgjedhur së bashku”, deklaroi Rama.
Kryeministri u bëri thirrje të rinjve të distancohen nga dhuna, duke nënvizuar se bindjet politike dhe ideologjike janë çështje zgjedhjeje në një vend demokratik, ndërsa dhuna, sipas tij, është krim dhe kërcënim për lirinë dhe sigurinë. “Idetë janë çështje zgjedhjeje dhe në një vend të lirë dhe demokratik gjithkush mund të ketë idetë e veta. Dhuna nuk është ide, është krim, është armik i demokracisë, i lirisë, i qetësisë, i sigurisë”, u shpreh ai.
Rama theksoi se Shqipëria ka ende shumë për të bërë, por e cilësoi garantimin e rendit dhe sigurisë si një domosdoshmëri absolute. Ai tha se çdo qytetar duhet të jetë i lirë të qarkullojë i sigurt në rrugët e vendit, përfshirë edhe përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Në fund, kryeministri paralajmëroi se do të publikohen të dhëna të tjera lidhur me protestat dhe personat që, sipas tij, janë përfshirë në dhunë, duke shtuar: “Nesër do ju ekspozojmë të tjera gjëra për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur te informacioni, te funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



