Rumani/ Mësuesit hyjnë në grevë, kërkojnë rritje pagash dhe investime në arsim

Për të parën herë që nga viti 2005, mësuesit rumunë kanë hyrë këtë të hënë në grevë pasi negociatat e tyre me qeverinë për rritje pagash dhe investime në arsim dështuan.
Një mësues në Rumani paguhet më pak se 537 dollarë në muaj, ndërkohë që paga mesatare në vend është rreth 1019 dollarë. Sindikatat thonë se greva e mbi 150 mijë mësuesve dhe stafit jo-mësimdhënës të institucioneve të arsimit fillor dhe të mesëm do të vijojë pa afat.
Në shenjë solidariteti me ta, edhe stafi i universiteteve zhvilloi një grevë që zgjati rreth dy orë. Sindikatat kanë kërkuar rritje pagash, indeksim për inflacionin, pagesë të orëve shtesë si dhe investime për të zhvilluar infrastrukturën si dhe mjetet mësimore.
Koalicioni qeveritar i vendit është angazhuar të ndryshojë këtë vit ligjin për pagat për të gjithë sektorin publik, nën një paketë reformash të dakordësuar me Komisionin Europian në këmbim të fondeve europiane të rimëkëmbjes. Projektligji pritet të miratohet në muajin korrik, por sindikatat e arsimit thonë se ai mund të hyjë në fuqi shumë më vonë. Qeveria ndërkohë është nën presion për ta çuar deficitin e saj fiskal nën pragun europian prej 3 përqind të prodhimit të brendshëm bruto deri vitin e ardhshëm.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




