Samsung dhe Google prezantojnë Galaxy XR, rivalin e Vision Pro të Apple

Gjigantët e teknologjisë Samsung dhe Google kanë prezantuar zyrtarisht pajisjen e tyre të re të realitetit të shtuar dhe virtual, Galaxy XR, duke hyrë fuqishëm në garën për dominimin e tregut të syzeve kompjuterike.
Pajisja e re synon të konkurrojë direkt me Vision Pro të Apple, por me një çmim dukshëm më të ulët.
Galaxy XR do të jetë e disponueshme fillimisht në Shtetet e Bashkuara me një çmim prej rreth 1800 dollarësh, krahasuar me Vision Pro që kushton mbi 3500 dollarë.
Pajisja funksionon me një version të personalizuar të sistemit operativ Android, ndërsa përfshin edhe Gemini, asistentin e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga Google.
Syzet Galaxy XR janë të pajisura me kamera që kapin mjedisin përreth dhe e shfaqin atë në ekranet para syve të përdoruesit, duke kombinuar realitetin fizik me objekte dixhitale.
Ato ofrojnë gjithashtu përvoja të ngjashme me syzet VR, duke lejuar përdoruesin të zhytet në botë artificiale përmes një ndërfaqeje intuitive.
Në aspektin e dizajnit, Galaxy XR përdor një kornizë plastike, ndryshe nga materiali prej alumini i Vision Pro. Pajisja nuk simulojnë zonën e syve në pjesën e përparme të syzeve, një veçori që Apple e ka integruar për të rritur ndjesinë e kontaktit vizual në disa situata.
Apple prezantoi Vision Pro në shkurt të vitit 2024, dhe së fundmi ka lançuar një model të ri me një çip më të fuqishëm. Megjithatë, për shkak të çmimit të lartë, Vision Pro ka mbetur kryesisht një produkt për profesionistët në fusha si dizajni, mjekësia dhe zhvillimi teknologjik.
Demonstrimet e para të Galaxy XR tregojnë se funksionet kryesore janë shumë të ngjashme me ato të Vision Pro, duke e pozicionuar pajisjen e Samsung dhe Google si një alternativë më të përballueshme për përdoruesit që kërkojnë teknologji të avancuar pa e tejkaluar buxhetin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




