Sesioni i ri parlamentar/ Rama paralajmëron reformë në administratën e Kuvendit. Opozita nuk duhet të abuzojë me procedurat
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se Kuvendi do të ketë ndryshime në rregullore, duke kërkuar rritje të aktivitetit parlamentar dhe përafrim me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian.
Rama theksoi se ky angazhim duhet të përfshijë jo vetëm kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, por edhe të gjithë deputetët, sidomos në kuadër të grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
Rama u shpreh se ky vit dhe viti i ardhshëm pritet të kenë një ngarkesë në Kuvend edhe për shkak të procesit të negociatave dhe çështjeve që duhen shqyrtuar.
“Duhet të kemi më shumë seanca, më shumë prani dhe më shumë shpjegime në komunikimin me parlamentet e BE-së. Ky është një proces që kërkon angazhim të plotë nga kryetari i Kuvendit dhe nga çdo deputet,” u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se aktiviteti parlamentar duhet të shtohet, me më shumë seanca dhe me një angazhim më të madh në funksion të procesit të integrimit europian.
“Parlamenti merret peng nga opozita nëpërmjet termit ‘procedurë’. Nuk po kërkojmë ulje të orëve të fjalës për opozitën, por të mos lejohet pengmarrja e Kuvendit dhe e publikut. Nuk mund të vazhdojmë me këtë teatër balte ku deputetët e shumicës kthehen në spektatorë,” tha Rama.
Kryeministri kërkoi rritje të aktivitetit diplomatik parlamentar, duke përfshirë jo vetëm kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, por edhe të gjithë deputetët e angazhuar në grupet e miqësisë me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
“Dua t’i referohem domosdoshmërisë së rritjes së aktivitetit diplomatik parlamentar, gjë që duhet të jetë në fokusin e kryetarit, por edhe të gjithë deputetëve të përfshirë në grupet e miqësisë me parlamentet e BE-së. Sidomos me ato vende ku nevoja për më shumë komunikim, prani dhe shpjegime është më e madhe,” u shpreh Rama.
Rama foli edhe për nevojën e reformimit të shërbimit administrativ të Kuvendit, duke e cilësuar aktualisht të pamjaftueshëm për mbështetjen e komisioneve dhe deputetëve.
“Kemi folur për reformën e brendshme prej disa vitesh, janë bërë disa hapa, por një administratë që numëron rreth 350 vetë, nga të cilët 300 janë nëpunës civilë, është e madhe në numër, ndërkohë që barra e punës mbështetëse bie mbi një numër shumë të vogël. Nëse do të duhet të kemi forca të reja, do të shtojmë forca të reja,” tha Rama, duke nënvizuar se ekspertiza e re duhet të vihet në funksion të komisioneve për çështjet e negociatave.
Kryeministri ritheksoi se ndarja e mandateve dhe orëve të fjalës në Kuvend është e pabalancuar, duke e cilësuar si një anomali në krahasim me parlamentet e vendeve të BE-së.
“Në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është e madhe. Në ndarjen e orëve të fjalës duket sikur jemi në një parlament 1 me 49. Orët e vëna në dispozicion për opozitën janë shumë më tepër sesa në parlamentet e BE-së. Nuk po them t’i ulim orët opozitës, por duhet të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të etikës parlamentare,” tha Rama.
Ai shtoi se rregullorja e Kuvendit nuk është e pandryshueshme dhe se bazuar në praktikat e Bashkimit Europian, duhet ndërhyrë menjëherë:
“Në asnjë parlament demokratik nuk lejohet që fjala ‘procedurë’ të jetë e barabartë me fjalën ‘pengmarrje’. Rregullorja nuk është e shkruar në gur, duhet të përshtatet me standardet e BE-së.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



